Akuza për mashtrim prej 1.7 milion euro – Prokurorët i kërkojnë parlamentit heqjen e imunitetit për Andrej Babiš!
Prokurorët në Republikën Çeke i kanë kërkuar parlamentit që t’i heqë imunitetin diplomatik kryeministrit në largim Andrej Babiš.
Babiš po përballet me akuza për mashtrim që përfshin 1.7 milion euro subvencione të Bashkimit Europian dhe është nën hetim.
Nëse parlamenti i ri çek jep miratimin e tij, atëherë prokurorët mund të vendosin nëse Babiš duhet të paditet për përfshirjen e tij të supozuar.
Akuzat përfshijnë një fermë që mori subvencione të BE-së pasi pronësia e saj u transferua nga konglomerati Agrofert në pronësi të Babiš-it te anëtarët e familjes së Babiš.
Subvencionet ishin të destinuara për bizneset e mesme dhe të vogla dhe Agrofert nuk do të kishte të drejtë për to. Konglomerati i përbërë nga rreth 250 kompani më vonë rimori pronësinë e fermës.
Miliarderi populist mohon çdo keqbërje dhe thotë se akuzat janë të motivuara politikisht. Policia çeke ka rekomanduar vazhdimisht që Babiš duhet të akuzohet.
Lëvizja ANO (PO) e Babiš-it u mund në zgjedhje dhe ai do të hyjë në opozitë pasi të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, një koalicion prej pesë partish të qendrës së djathtë nënshkroi një marrëveshje këtë javë për të formuar një qeveri të re.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.