Aleanca Renault-Nissan – Macron: Nuk ka pse të ulen aksionet e qeverisë te Renault
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk ka nevojë që të ulet zotërimi i qeverisë franceze te Renault dhe shtoi se kërkon që aleanca Renault-Nissan të fuqizohet. Marrëdhëniet brenda aleancës janë përkeqësuar që kur u arrestua kreu ekzekutiv Carlos Ghosn. Megjithatë, Macron tha se kjo nuk duhet të ndikojë te partneriteti. “Asgjë nuk justifikon ndryshimin e pronësisë, rregullave të drejtimit dhe zotërimin e shtetit francez te Renault, që nuk ka të bëjë fare me Nissan”, tha Macron.
Komentet e tij bëjnë kontradiktë me Ministrin e Financave Bruno, Le Maire, që tha se Qeveria është gati për të ulur zotërimin prej 15% te Renault, në përpjekje për të fuqizuar aleancën me Japoninë. Pavarësisht thirrjeve të qeverisë franceze për të fuqizuar aleancën, Nissan ka qenë e pakënaqur me marrëdhënien e pabarabartë. Renault zotëron 43% të prodhuesit japonez të makinave, që e ka kaluar partnerin francez në përmasë që kur u shpëtua nga falimentimi dy dekada më parë. Nissan zotëron 15% aksione pa të drejtë votimi te partneri francez.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.