Aleancë me Volkswagen? – Ford shkurton mijëra vende pune në Europë
Përpara një aleance të mundshme me liderin e tregut Volkswagen, Ford është duke shkurtuar mijëra vende pune, duke i dhënë fund prodhimit të disa modeleve dhe duke mbyllur një fabrikë në Europë.
Prodhuesi i makinave në SHBA njoftoi ndryshimet e reja si pjesë e një rishikimi global që kompania tha se do ti kushtojë 11 miliardë dollarë. Ford tha se do t’i jepte fund prodhimit të disa modeleve jofitimprurëse dhe do të zhvendoste strategjinë e saj në tregje të vështira rajonale duke përfshirë Rusinë.
Prodhuesi i makinave tha se do të vazhdojë me planet për të mbyllur një fabrikë në Francë dhe ka filluar negociatat me sindikatat për ndalimin e prodhimit të makinës kompakt C-Max në një fabrikë në Gjermani.
“Ne jemi duke ndërmarrë veprime vendimtare për të transformuar biznesin e Ford në Europë” -tha në një deklaratë Steven Armstrong, presidenti i Fordit për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Ford tha në korrik se do të shpenzonte 11 miliardë dollarë përgjatë tre deri pesë viteve të ardhshme për të riformuar biznesin e tij në mbarë botën.
Shitjet e Ford janë të të qëndrueshme në Shtetet e Bashkuara, por kompania po kalon vështirësi në Kinë, Europë dhe në Amerikën Latine. Në nëntë muajt e parë të vitit 2018, Ford raportoi humbjet europiane në vlerën 199 milionë dollarë, krahasuar me fitimin prej 278 milionë dollarë në të njëjtën periudhë 2017. Analistët kanë spekuluar se Ford dhe Volkswagen prodhuesi më i madh i automjeteve në botë dhe një forcë dominuese në Europë, mund të bashkohen për të kërkuar zhvillime në makinat autonome dhe teknologji të tjera.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.