Aleatët e Merkel zotohen të ndalojnë ‘pushtimin’ e BE-së nga Macron
Aleanca e qendrës së djathtë e Bashkimit Europian është e vendosur të sfidojë presidentin francez Emmanuel Macron në garën për të emëruar shefin e ardhshëm të Komisionit të BE, sipas zyrtarëve të lartë të partisë. Konservatorët europianë ishin të pakënaqur që Macron bllokoi kandidatin e tyre për president të komisionit, Manfred Weber, në takimin e javës së kaluar në Bruksel dhe dyshojnë se ai po kërkon të minojë rolin e tyre, edhe pse ata fituan shumicën e vendeve në Parlamentin e ardhshëm të BE-së, thanë zyrtarët.
Të 28 udhëheqësit kombëtarë të BE-së janë përgjegjës për emërimin e kreut të ardhshëm të ekzekutivit të këshillit, por duhet të gjejnë një kandidat që mund të fitojë mbështetjen e parlamentit për të marrë detyrën. Rezultati i zgjedhjeve të muajit të kaluar në BE, që pa si PPE e qendrës së djathtë dhe socialistët humbën vendet e tyre përfaqësuese, do të thotë që do të duhen të paktën tre parti për të vendosur një president komisioni. Përkeqësimi i marrëdhënieve midis Francës dhe Gjermanisë po rritë interesat për zgjedhjen që do të formojë agjendën e bllokut për pesë vitet e ardhshme.
Rezultati është se të dyja palët po nguliten gjithnjë e më shumë në sistem në prag të takimit shtesë të samitit të caktuar për këtë të diel. Kjo mund të çojë në vonesa të mëtejshme në emërtimin e zyrtarëve të tjerë të BE, duke përfshirë edhe një pasues të shefit të Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi. “Deri tani ne kemi parë vetëm propozime shkatërruese”, tha Weber në një intervistë me gazetat europiane duke përfshirë El Pais të Spanjës. “Ne rrezikojmë të hyjmë në një periudhë të menaxhimit të krizës. Shpresoj që askush nuk do që të marrë këtë rrezik”.
Zyrtarët francezë bën me dije se nuk kanë ndërmend të paraqesin kandidatin e tyre në këtë pikë, sepse ata janë të vetëdijshëm se kjo do të shërbejë vetëm për t’i dhënë një objektiv PPE-së. Zyrtarët e PPE thanë se ata e shohin taktikën e ashpër të Macron si pjesë të një strategjie më të gjerë për të minuar përparësinë e tyre në politikën europiane. Komentet e tij sarkastike për shefin e Bundesbank Jens Weidmann, u panë si dëshmi e mëtejshme e mosbesimit të tyre.
Burimi: Bloomberg
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.