Alibaba e mbyll me rekord – Rritje e të ardhurave me 58%, por fitimet bien
Gjigandi kinez i tregtisë në rrjet, që tashmë ka marrë përmasa globale, Alibaba njoftoi së fundmi se, viti fiskal që mbaroi në Mars, është mbyllur me një rritje të të ardhurave për kompaninë prej 58% në krahasim me vitin e kaluar.
Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2014, kur kompania listohej në bursën e New York-ut. Edhe të dhënat e tre mujorit të parë të vitit flasin për një rezultat mbresëlënës, pasi tregojnë një rritje të të ardhurave me 61%, në 9.73 miliardë dollarë.
Por, ndërkohë që të ardhurat janë rritur ndjeshëm fitimet neto kanë rënë, tregojnë të dhënat. Rënia fiksohet në 29% në terma vjetorë. Gjatë tremujorit të parë të vitit, fitimet neto të kompanisë u fiksuan kështu në vetëm 1.2 miliardë dollarë.
Numri i përdoruesve blerës aktiv në Kinë ndërkohë preku shifrën e 552 milionë njerëzve gjatë Marsit, ndërkohë që numri i klientëve të rinj ka prekur nivelin më të lartë që prej 2014-ës.
Sa i përket vitit aktual fiskal, Alibaba pret që xhiro vjetore e kompanisë të rritet me 60%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.