Alibaba zgjeron perandorinë në Azinë Jugore – Blen platformën e tregtisë të Daraz Group
Hegjemonia e Alibaba në tregtinë online në Azi do të forcohet edhe më tej, teksa grupi ka blerë të gjithë aksionet e kompanisë Rocket Internet në platformën e shitjeve në Azinë Jugore, Daraz Group.
Marrëveshja u bë e ditur nga vetë Rocket Internet, e cila nuk dha detaje financiare. Daraz, e themeluar në Pakistan në vitin 2012, operon tregje online në Pakistan, Bangladesh, Mianmar, Sri Lanka dhe Nepal. Kjo mundëson një depërtim më të madh të Alibaba në një treg prej rreth 460 milionë banorësh.
Një marrëveshje e mundshme përflitej prej muajsh dhe Bloomberg raportonte në Mars se po zhvilloheshin bisedime mes palëve. Pas blerjes nga Alibaba, njësia do të vazhdojë të operojë me të njëjtin emër marke.
Lajmi bëri që aksionit e grupit Alibaba të rriten me 3.42% në 195.35 dollarë amerikanë.
Marrëveshja është pjesë e valës së dytë të zgjerimeve ndërkombëtare të grupit, pas blerjes në Indi të Paytm dhe në Azinë Juglindore të Lazada. Ky treg premton të jetë shumë fitimprurës për gjigandin e tregtisë online, për shkak të numrit të popullsisë dhe rritjes së përdorimit të internetit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.