“Amazon” merr kthesën e madhe – Blen “Whole foods” për $13 mld, “dridhen” konkurrentët
“Amazon” nëpërmjet një njoftimi zyrtar deklaroi se, do të blejë kompaninë “Whole Foods” për një vlerë prej 13.7 miliardë dollarësh.
Kjo është lëvizja përfundimtare që konfirmon se, “Amazon”, dikur e fokusuar vetëm në tregun e produkteve high-tech tashmë kërkon të futet në tregun e gjerë për masat.
Whole foods është një rrjet i gjerë marketesh që numëron rreth 500 pika në të gjithë shtetet e bashkuara.
Marrëveshja përfaqëson një kthesë dramatike në strategjinë e biznesit të “Amazon”, themelues dhe drejtues i së cilës është Jeff Bezos, aktualisht njeriu i tretë më i pasur në Botë. “Whole Foods” ndërkohë, prej dhjetë vitesh është një ndër kompanitë lider në dërgimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të freskëta.
I gjithë ky treg në Shtetet e Bashkuara vlen plot 700 miliardë dollarë, dhe Jeff Bezos kërkon të mos ta humbasë këtë shans, ashtu siç nuk ka humbur shanset që i janë dhënë më parë.
Bezos është njeriu që rriti pasurinë e tij me 65 miliardë dollarë në 5 vitet e fundit. Lajmi për blerjen e “Whole Foods” shkaktoi një kolaps në tregjet gjatë së Premtes të aksioneve të supermarketeve, prodhuesve të ushqimeve dhe qendrave tregtare.
Humbja fiksohet në 35 miliardë dollarë. Vetëm aksionet e Wal-Mart ranë me 4.7%. Aksionet e “Amazon” ndërkohë u rritën me 2.4%, duke shtuar 11 miliardë dollarë në vlerë tregu dhe ndoshta duke ngjitur sërish në vend të dytë Jeff Bezos në listën e personave më të pasur të Botës. Nga ana tjetër ky është operacioni me i madh i blerjes në shtetet e Bashkuara në këtë sektor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.