Ambasada gjermane për situatën politike në vend: Partitë opozitare të mos pengojnë zgjedhjet, duhet dialog politik
Lidhur me situatën aktuale në Shqipëri, kur na ndajnë vetëm 2 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ambasada Gjermane në Shqipëri, nëpërmjet ambasadores Schütz ka dhënë një deklaratë, ku kërkon lejimin e zhvillimit normal të zgjedhjeve, sqarimin e menjëhershëm të akuzave lidhur me zgjedhjet e mëparshme dhe dialog politik.
“Duke patur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së diel, datë 30 qershor, u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune. Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare. Gjermania ka sjellë në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE-/ODIHR-it. Të gjitha palët duhet të tregojnë tani gatishmëri për dialog dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për vendin duke patur parasysh edhe situatën pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Akuzat, që u referohen akteve eventualisht kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të shkuara, duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjencitë e zbatimit të ligjit sipas legjislacionit në fuqi. Për sqarimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese të mbetura pezull deri më tani rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese.”, – deklaron ambasadorja Schütz.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.