Ambasadorët, “presion” për Kushtetuesen – Kim: Nuk ka asnjë arsye të mos plotësohet. Soreca: Kritike që KED të vlerësojë kandidatët
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian i kanë kërkuar aktorëve në vend të nxitojnë në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se nuk ka asnjë pengesë për kryerjen e procedurave. Ka qenë Ambasadorja Amerikane Yuri Kim që paraditen e së hënës ka shkruar në rrjetet sociale se Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren dhe se nuk ka asnjë arsye që e pengon plotësimin e Kushtetueses.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, ka shkruar ambasadorja Kim.
Pak më pas ka ardhur edhe reagimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, sipas të cilit është kritike që KED të përfundojë vlerësimin e shpejtë i kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.