Ambasadori i Izraelit në Tiranë: Do të kontribuojmë edhe në fazën e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti!
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Shtetit te Izraelit, Noah Gal Gendler, me rastin e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri.
Referuar njoftimit zyrtar të Kuvendit, Ruçi, pasi uroi Ambasadorin Gendler për misionin e tij në Shqipëri, vuri në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë të shkëlqyera.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje perspektivën e gjerë të bashkëpunimit midis të dy vendeve, në mjaft fusha si në bujqësi, hoteleri, turizëm etj.
Kryetari Ruçi e falenderoi Ambasadorin Gendler për kontributin shumë të çmuar të ekspertëve izraelitë në verifikimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit dhe kërkoi që ndihma e Shtetit të Izraelit do të vazhdojë edhe për periudhën e rindërimit, me burime financiare dhe burime të tjera.
Ambasadori Noah Gal Gendler shprehu mirënjohjen për konsideratat e larta të popullit të autoriteteve të Shqipërisë për Shtetin dhe qytetarët e Izraelit dhe nënvizoi se sakrificat e shqiptarëve për hebrenjtë nuk do të harrohen kurrë.
Ambasada në Tiranë do të rrisë përpjekjet për shtimin e investimeve izraelite në Shqipëri, në fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu, Ambasadori Gendler bëri me dije se Qeveria e Shtetit të Izraelit do të vazhdojë të kontribojë edhe në fazën e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.