Ambientet spitalore, Manastirliu: Aksion 100 ditor pastrimi nga godinat përreth
Territoret përreth spitaleve në të gjithë vendin, do të lirohen nga aktivitetet të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këto godina. Në daljen e parë publike si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtës Sociale, Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar se lirimi i mjediseve spitalore do të ndodhe brenda 100 ditëve.
“Jam sot këtu, për të shpallur aksionin e Qeverisë shqiptare, për çlirimin e hapësirave në brendësi të mjediseve spitalore, në të gjithë territorin e vendit.
Angazhimi ynë është që brenda 100 ditëve, hapësirat e jashtme të të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të pastrohen nga çdo ngrehinë apo aktivitet tjetër, që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e përditshme të këtyre strukturave shëndetësore.
Sot, katër vjet më vonë, QSUT është shembulli më i mirë, i rëndësisë që këto mjedise dhe ruajtja e tyre, kanë për mbarëvajtjen e veprimtarisë së një institucioni shëndetësor. Objektivi ynë është që brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, këtë model ta eksportojmë me sukses në të gjithë spitalet, në të katër anët e vendit”.
Manastirliu u shpreh se aksioni do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ministria paralajmëroi edhe ndërrimin e të gjithë drejtuesve të spitaleve, të cilët sipas saj do të përzgjidhen me konkurs publik brenda 35 ditëve.
“Në vazhdim, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e rinj të spitaleve në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të përzgjidhen pas një konkursi publik që ne do të kryejmë brenda 35 ditëve, ne do të vëmë plotësisht në zbatim planin tonë për transformimin e tyre, në institucione të denja të kujdesit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.