Amendamentet e PD, Rama: Nuk marrin në konsideratë kuadrin ekonomik dhe financiar. Rrisin borxhin publik me 10%
Kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit është ndalur te amendamentet e Partisë Demokratike të propozuara ditën e djeshme, ku i ka cilësuar një tërësi propozimesh që nuk marrin në konsideratë kuadrin ekonomik dhe financiar.
Pasi i ka cilësuar amendamentet, si paketë propozimesh të programit elektoral të vitit 2005, Rama është ndalur te borxhi publik ku sipas propozimeve të PD tha ai, borxhi mund të rritet me 10 për qind, duke shkuar në 79 për qind.
“Është një tërësi propozimesh të papërgjegjshme dhe nuk marrin në konsideratë kuadrin ekonomik dhe financiar. Propozimet flasin për rritjen e menjëhershme me 10 për qind të borxhit publik, automatikisht propozimi e çon borxhin në 79 për qind. Ktheni sërish taksën e sheshtë sipas programit të 2005, pra me një taksim njësoj si të mëdhenjve dhe të vegjëlve. Propozimi për të ulur TVSH me 15 për qind, shifër qe nuk ekziston në asnjë vend të Europës. Propozimi për uljen e tatimit mbi të ardhurat personale kontradikton filozofinë tonë në thelb. Kjo do të thotë një turrje tek ata që fitojnë më pak dhe një lëshim të ri për ata që fitojnë më shumë. Vënia e dividendit zero një propozim që nuk ka lidhje fare me realitetin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për pagat dhe shpërblimet e pensionistëve.
“Avazi i rritjes së pagave! Rritja e pagave gjatë 4 vjeçarit tonë është në tërësinë e vet, sa 8 vitet tuaja të marra së bashku. E kemi parashikuar shpërblimin e fundvitit për pensionistët, ndërkohë që ju vini këtu e thoni që nuk iu është akorduar shpërblim pensionistëve.”
Tekstet falas ka qenë një prej propozimeve, ku kryeministri Rama ka ngritur pyetjen se përse ato nuk u dhanë falas gjatë qeverisjes së djathtë…
“Ju pse nuk i bëtë falas tekstet, ju i kishit në program. Ne e kemi mundësinë t’i bëjmë falas për fëmijët nga klasa e parë në klasën e katërt. E më pas nga klasa e pestë e më tutje për familjet në nevojë. Ju nuk i bëtë falas, por i bëtë tekstet faqen më të zezë të dijes në vend. Nuk mungonte amendamenti për mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar. Në 2013 nuk kishte asnjë këmbë mësuesi për këtë kategori. Ne sot kemi 310 mësues dhe buxheti i 2018 i dyfishon, duke i çuar në 620 mësues”.
Rama gjithashtu ka përmendur edhe amendamentin për kulturën, duke thënë se buxheti i qeverisjes së PD nuk krahasohet me buxhetin e sotëm, gjithashtu u ndal edhe në investimet në stadiume, muze dhe monumentet e kulturës.
“Amendamenti më qesharak ishte ai për rritjen e buxhetit për kulturën. Buxheti juaj i kulturës nuk krahasohet me buxhetin e sotëm. Po vazhdojmë me muzeumet, teatrot, por restaurojmë monumentet e kulturës. Më parë stadiumet ishin të falura, ndërkohë ne do bëjmë stadiumin e Vlorës, të Korçës, stadiumin e parkut olimpik në Korçë”, u shpreh kryeministri.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.