AMF, memorandum mirëkuptimi me BQK. Marrëveshja, në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve financiare, në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve mes dy vendeve. Memorandumi, që zëvendëson atë të vitit 2008, u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete dhe nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Gjatë fjalës së tij, Mete tha se marrëveshja i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite.
“Diskutuam për një tërësi çështjesh lidhur me tregjet në mbikëqyrje të Autoritetit dhe Bankës që lidhen me tregjet financiare jobankare përkatësisht tregun e sigurimeve, tregjet e kapitalit, fondet e pensionit dhe fondet e investimeve.” – u shpreh Z.Ervin Mete
“Në të ardhmen ne do ta rrisim bashkëpunimin, dhe kjo marrëveshje është formale, ndërsa ne bashkëpunimin e kemi pasur gjatë gjithë kohës edhe kur ka qenë z.Mete ka qenë zv.ministër. Jemi në ato fazat e para, jemi duke punuar me zhvillimin e termave të referencës së bashku me BERZH. Presim të lëvizim edhe në aspektin legjislativ dhe rregullativ të tregut të kapitalit. Ideja është që të zhvillojmë tregun e kapitalit dhe më pas ta integrojmë në nivel rajonal.” – u shpreh Z.Fehmi Mehmeti
Në lidhje me tregjet e kapitalit, Mete tha se Shqipëria është në një stad më të avancuar dhe ka krijuar infrastrukturën e tregut, Bursën dhe Regjistrarin.
“Në fushën e tregjeve të kapitalit dhe fondeve të investimeve, siç ju e dini, kemi tashmë një stad të avancuar legjislativ i cili po plotësohet edhe me pjesën rregullative dhe kemi një plan të përbashkët me Ministrinë e Financave për një plan strategjik ndaj tregut të kapitaleve por edhe për të avancuar me listimin e disa kompanive shtetërore dhe në këtë aspekt do të jemi të gatshëm të asistojmë sa të jetë e vlefshme edhe homologët kosovarë.” – vazhdoi më tej z.Mete.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.