AMF përmbyll miratimin e akteve nënligjore për tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive / Publikohet rregullorja
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përmbyllur hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri “Për sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”. Rregulloret i janë nënshtruar procesit të konsultimit publik, përpara miratimit nga Bordi i Autoritetit. Në mbledhjen e datës 30 qershor janë miratuar edhe tre aktet e fundit pjesë e paketës rregullatore, konkretisht Rregullorja “Mbi investimet, huadhënien dhe huamarrjen e Sipërmarrjeve të Licencuara të Investimeve Kolektive me Ofertë Publike”, Rregullorja “Për sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore e furnizuese”, si edhe Rregullorja “Mbi përmbajtjen, afatet kohore dhe formën e raporteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese dhe depozitarëve”.
Rregullore të miratuara për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive |
1. “Për licencimin dhe rregullat shtesë të licencimit të shoqërive administruese të fondeve, depozitarëve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, licencimin dhe regjistrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive të themeluara në Republikën e Shqipërisë” |
2. “Për formën, llogaritjen dhe shumën e fondeve të veta që duhet të ketë detyrimisht shoqëria administruese e fondeve” |
3. “Mbi komunikimin me investitorët” |
4. “Për administrimin e riskut nga shoqëria administruese e fondeve” |
5. “Mbi pezullimin, mbylljen, marrjen në administrim dhe likuidimin e shoqërive administruese të fondeve, depozitarëve dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, si dhe mbi zëvendësimin e shoqërive administruese të fondeve dhe depozitarëve” |
6. “Për funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese të fondeve dhe depozitarëve në Republikën e Shqipërisë” |
7. “Mbi investimet, huadhënien dhe huamarrjen e Sipërmarrjeve të Licencuara të Investimeve Kolektive me Ofertë Publike” |
8. “Mbi përmbajtjen, afatet kohore dhe formën e raporteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese dhe depozitarëve” |
9. “Për sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore e furnizuese” |
Kuadri rregullator bën plotësisht të zbatueshëm ligjin e ri për “Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, i përafruar me direktivat kryesore të Bashkimit Evropian. Ligji dhe aktet nënligjore të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij sigurojnë bazën e nevojshme legjislative dhe rregullative për modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve të investimeve në Shqipëri.
Në thelb, ligji dhe rregulloret e miratuara synojnë:
- Harmonizimin e kërkesave për themelimin e sipërmarrjes me ofertë publike me pjesëmarrje të hapur ose me intervale (të cilat duhet të kenë shoqëri administruese dhe depozitar), në përputhje me kërkesat e Direktivave Evropiane, pavarësisht nëse fondi është sipërmarrje e investimeve kolektive apo fond i investimeve alternative;
- Krijimin e hapësirës për forma të reja organizimi, siç janë fondet e investimeve alternative, si dhe tipe dhe lloje të reja fondesh, në përputhje me Direktivat Evropiane;
- Rritjen e mbrojtjes së investitorit përmes rritjes së kërkesave në lidhje me kategorizimin e investitorëve në profesionistë, të kualifikuar dhe jo profesionistë;
- Ofrimin e më shumë dispozitave në lidhje me bashkimin dhe shkrirjen e fondeve, si dhe për ruajtjen, likuidimin dhe mbylljen e fondeve dhe të shoqërive administruese e të depozitarëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.