AMF raporton në Kuvend – ALSE, zhvillim pozitiv në tregun financiar
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi të hënën para Komisionit Kuvendor për Ekonominë dhe Financat raportin vjetor të aktivitetit për vitin 2018.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, nënvizoi zhvillimet pozitive në tregjet financiare, një ndër të cilat ishte edhe nisja e operacioneve të Bursës Shqiptare të Titujve, ALSE, e para bursë funksionale në historinë e vendit. Që nga shkurti i vitit të kaluar, ALSE mundëson tregtimin e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare, ndërsa këtë vit pritet të nisë edhe tregtimit i titujve të kompanive private.
Vitin e kaluar, AMF prezantoi strategjinë 5-vjeçare të zhvillimit të tregjeve, ku një objektiv i rëndësishëm është edhe zgjerimi i tregut financiar. Sipas AMF-së, strategjia synon të nxisë zhvillimin e një tregu konkurrent dhe eficient, duke i dhënë mundësi krijimit të produkteve inovative dhe duke rritur besimin e publikut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.