AMF takim me misionin e Bankës Botërore – Prioritet, ecuria e projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse
Ecuria e projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, me fokus tregun e kapitaleve ka qenë edhe një nga çështjet kryesore të diskutimit gjatë takimit të drejtorit të AMF-së, Ervin Koçi me përfaqësuesit e misionit të Bankës Botërore.
Projekti në fjalë është financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), me asistencën e Bankës Botërore.
Drejtori i AMF-së, Koçi njohu përfaqësuesit e BB me punën e zhvilluar në lidhje me projektligjin për titujt dhe atë për fondet e investimit, si dhe miratimi e disa rregulloreve për një mbikëqyrje sa më efektive të tregut të kapitaleve dhe mbrojtjen e investitorëve.
Ndërkohë, përfaqësuesit e BB u shprehën të kënaqur me ecurinë e projektit dhe rezultatet e arritura deri më tani për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse.
Mundësitë e thellimit të bashkëpunimit përmes një projekti të ri për zhvillimin e tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre ishte edhe një tjetër çështje mbi të cilët diskutuan palë gjatë këtij takimi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.