“Amnisti” e re për bizneset shqiptare-Zbardhet nisma për faljen e gjobave. Cilat përfitojnë
Në Kuvend është depozituar nisma për faljen e të gjithë gjobave që i janë vendosur bizneseve nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nga periudha 1 korrik 2019 deri me 31 gusht 2019.
Nisma mban firmën e deputetit Ilir Beqja. Nëse nisma arrin të marrë miratimin në komisonet kuvendore dhe në seancë plenare, atëhere përfitues do të jenë bizneset që janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit por që në momentin e inspektimit nuk kanë qenë të pajisur me licencën për “Prodhim, përpunim e shpërndarje me shumicë të ushqimeve dhe licencë për shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore (për njerëz).
Pas miratimit të nismës, parashikohet që brenda 10 ditësh Ministria e Financave të miratojë me udhëzim të veçantë procedurat e zbatimit të faljes së gjobave.
“Nga kontaktet që unë si deputet kam pasur me operatorë të ndryshëm ekonomikë të biznesit ushqimor të cilat më kanë shprehur shqetësimin për gjobat e vendosura dhe bllokimin e aktivitetit, këta të fundit jane shprehur se kanë qenë të painformuar për detyrimin e pajisjes me këto leje të veçanta. Ndërkohe nga të dhënat e marra nga Qendra Kombëtare e Biznesit rezulton se:
-Për licencen e tipit II-1- A nëse në periudhen korrik – gusht 2018 janë bërë 79 kërkesa për pajisje me licencë, ndërsa në periudhën korrik – gusht 2019 janë bërë 808 kërkesa për të njëjtën licencë
-Për licencën e ti pit II-1- B nëse në periudhen korrik – gusht 2018 janë bërë 52 kërkesa për pajisje me licencë, ndërsa në periudhën korrik – gusht 2019 janë bëre 607 kërkesa për të njejtën licence
-Po nga të dhënat e marra nga QKB, rezulton se më shumë se 75 % e kërkesave të periudhës korrik – gusht 2019 janë miratuar.
Numri 10 herë më i lartë i kërkesave në verën e 2019 krahasuar me verën e 2018 dhe miratimi në 2019 i më shumë se 7 5 % të kërkesave dëshmon se në shkallë shumë të lartë moszbatimi i ligjit nga operatorë të ndryshëm të biznesit ushqimor ka pasur si motiv kryesor mungesën e informacionit.
Për sa më sipër, propozoj që gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për operatorët ekonomik të biznesit ushqimor në periudhën 1 korrik 2019 deri në 31 gusht 2019 të falen” shkruan deputeti në relacionin e nismës së depozituar në Kuvend.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.