Analiza e BBC/Koronavirusi: A mund ta dëmtojë ekonominë globale dhe sa të rënda mund të jenë pasojat?
Kina po vuan me virusin e ri që ka vrarë deri më tani dhjetëra njerëz. Është një çështje serioze për shëndetin. Organizata Botërore e Shëndetit e ka cilësuar si emergjencë për Kinën, edhe pse deri më tani jo për të gjithë botën.
Në mënyrë të pashmangshme, kjo do të sjellë pasoja për ekonominë.
Por sa të rënda do të jenë ato?
Ekonomistët nuk preferojnë të japin një përmasë fikse të pasojave pasi jemi në stadin e parë.
Por është e mundur që të identifikojmë në çfarë forme do të impaktojë dhe çfarë dëmi ekonomik është shkaktuar në ngjarje të mëparshme, të ngjashme me këtë.
BBC, në analizë merr rastin e virusit SARS në 2002-2003 që gjithashtu nisi në Kinë.
Tashmë Kina ka marrë goditjet e para ekonomike. Masat shtrënguese të marra për udhëtimet në disa vende të Kinës, në një periudhë kur duhej festuar Viti i Ri Kinez, në një kohë ku shumë njerëz udhëtojnë,konsiderohet se kanë pasoja. Pra biznesi i turizmit është goditur tashmë.
Transporti
Shpenzimet e konsumatorëve në gjëra argëtuese dhe dhurata do të preken gjithashtu. Për argëtimet, shumë do të kufizohen për të marrë pjesë në aktivitete jashtë shtëpisë së tyre nga frika e ekspozimit ndaj virusit.
Shumë njerëz kanë anuluar planet e tyre. Impakti është shumëfishuar nga fakti se Wuhan, qyteti ku nisi përhapja e virusit, është një qendër e rëndësishme transporti. Masat shtrënguese në transport janë një problem gjithashtu për çdo biznes që duhet të lëvizë të mirat materiale ose njerëzit përreth. Linja e furnizimit industrial do të preket gjithashtu. Disa dërgesa do të ndërpriten dhe disa të tjera do të bëhen edhe më të kushtueshme. Do të ketë një humbje të aktivitetit ekonomik edhe si rezultat se njerëzit nuk do të jenë të aftë që të shkojnë në punë e të lëvizin.
Koha e Rimëkëmbjes
Do të ketë një kosto direkte financiare për trajtimin e pacientëve që do të mbahet nga siguruesit e shëndetit publik dhe privat si dhe nga vetë pacientët.
Në shumë raste, problemet ekonomike reflektohen shpejt nga tregjet financiare, ku vlerësimi i tregtarëve për vlerën e aseteve ndikohet nga pritshmëria e tyre për zhvillimet në të ardhmen.
Shansi i vaksinës
Me këtë rast, ka pasur pasoja negative për tregjet e aksioneve, veçanërisht në Kinë. Por ato nuk kanë qenë të mëdha. Edhe indeksi i Shangait është më i lartë se sa ka qenë 6 muaj më parë.
Ka disa biznese që mund të fitojnë, siç janë prodhuesit e ilaçeve.
Paul Stoffels,shefi shkencor në ‘Johnson & Johnson’ i tha BBC-së se ekipi i tij ka bërë tashmë një punë themelore për një vaksinë. Ajo mund të jetë gati për 1 vit.
Ka pasur gjithashu një rritje të madhe të kërkesave për maska dhe dorëza për t’u mbrojtur nga infektimi.
Një vlerësim paraprak për ndikimin në ekonominë botërore ishte për rreth 40 miliardë dollarë në rastin e virusit SARS.
Marrë me shkurtime nga BBC/Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.