Analiza/Papunësia e shkaktuar nga COVID 19 dhe impakti në turizëm
Nga Erion Muça/ Pedagog, Ekspert Karriere dhe Punësimi
Pandemia në Shqipëri ndikoi negativisht në shumë sektorë të ekonomisë e rrjedhimisht me mbylljen e shumë bizneseve dhe industrive, impakti në papunesi ishte i lartë. Në këtë prizëm papunësia arriti kulmet me mbylljen e doganave dhe kufijve dhe pezullimin e pjesës më të madhe të aktiviteteve prodhuese, shërbimeve dhe rënie e lirë e kërkesës për mallra dhe shërbime lluksi.
Statistikat zyrtare, hulumtimet dhe kërkimet nga institucionet e specializuara pavarësisht seriozitetit subjektiv nuk pasqyruan dot në kohë reale impaktin e krizës në papunësi duke prezantuar mediatikisht për opinionin publik, shifra dhe deklarata të ndryshme pa uniformitet dhe lineraitet për të qartësuar situatën në lidhje me gjendjen e tregut të punës.
Pavarësisht informacionit nga këto burime mbi nr e të papunëve dhe pavarësisht karantinës, disa studime dhe anketime realiste nga pikëpamja e realitetit por jo shumë imponuese në ndikimin në vendimarrje dhe ndihme për ndërtimin e strategjive, konfirmuan se përgjatë pandemisë u shkurtuan rreth 33 mijë vende pune sipas raportit të Ndërmjetëm të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë por edhe 47% e ndërmarrjeve ndaluan plotësisht aktivitetin e tyre sipas një anketimi të Këshillit të Investimeve ndërsa bizneset në masë ankohen për mungesë klientësh, mungesë likuiditeti, vështiresi në likujdimin e pagave apo dhe respektimi i detyrimeve dhe pagesave tatimore.
Problematikat më të shpeshta në këtë periudhe për kompanitë ishte dhe mospërgatitja për menaxhimin e vakancës nga frika e punonjësve për të shkuar në punë dhe mungesën e një plani emergjence që do të lidhej jo vetëm me menaxhimin në kohë krizë por dhe me mungesen apo mosmarrjen parasysh të rëndësisë së të punuarit në distancë si një alternativë e domosdoshme për situatën e krijuar.
Mbështetja e qeverisë për të papunët e shkaktuar nga pandemia me të ashtuquajturën”pagë lufte” u gjet si zgjidhje e një zgjedhje të momentit por me mangësi që lidhen e u shfaqën me procesin e kalimit nga vendimi politik tek ai teknik, kalim i cili edhe si rrjedhojë e precedentëve të së shkuarës, nuk u realizua aq profesionalisht sa pritej. Pavarësisht këtyre vështirësive shërbeu si ndihmë dhe mbështetje sociale për gjithkend në pamundësi por nuk u trajtua dhe vlerësua si hap stimulues, strategjik dhe inkurajues për tregun e punës në plan afatmesëm apo afatgjatë.
Në këtë aspekt funksionoji si mbështetje e momentit me karakter riparues pasi financimi me para zgjat aq sa shpenzohet paga po më pas…??
Me pas vjen pasiguria, vështirësite e përshtatjes dhe rifitimit të punës pas pandemisë apo në bashkejetesë me të. Lind nevoja për zhvillim aftësish dhe domosdoshmëria e hulumtimit për gjetjen e punës me koncepte dhe vizion të ri, duke e ndjerë sigurisht më afër dhe më pranë pazëvëndësueshmërisë që kanë e do të kenë aftësitë e zhvilluara digjitale.
Përpjekja për të mbajtur nën informacionin dhe terrin zyrtar nga paniku që mund të shkaktojë kriza në lidhje me papunësinë dhe nivelet e saj, qeveria vendosi të vetkrijojë amulli shifrash të të papunëve edhe për të amortizuar efektin social por me një hulumtim të thjeshtë të tre treguesve kuptojmë se situata është më shumë e rëndë sesa na prezantohet.
Treguesi i parë lidhet me historikun e shifrave të papunësisë së regjistruar 4 vitet e fundit referuar INSTAT për të gjitha grupmoshat ka variuar nga 145.000-165.000 në vit. Nisur nga ky nr e nga fakti që e gjithë ekonomia ishte në kolaps dhe shumë sektorë dhe kompani ose u pezulluan ose u mbyllën çka automatikisht sollën të papunë aq sa ishin dhe llojet e sektorëve dhe aktiviteteve të mbyllura duke na bërë të konkludojmë në një papunësi të lartë.
Treguesi i dytë lidhet me publikimet e vendeve vakante të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që në muajin Qershor 2020 ishin vetëm 272 vende vakante të shpallura nga 35.000-45.000 që ka patur çdo vit. Pra kjo shifër na informon se sa në të vërtetë është oferta për punë në treg nga sektori privat si punëdhënësi me i madh në vend dhe sa të kufizuara janë hapësirat e punëkërkuesit të papunë në tregun e punës. Ky tregues tregon dhe gjendjen e vështirë të biznesit në sektorin privat, tkurrja e të cilit reflektohet edhe me mungesën e nevojës dhe interesit të tij për të punësuar.
Treguesi i tretë lidhet me Raportin e Bankës Botërore në lidhje me pasojat ekonomike në rajonin tonë, ku vendi më i prekur do të ishte Shqipëria ku papunësia mendohet të arrijë shifrat e 25 %. Vështirësia e matjes së papunësise reale është një fenomen që është shumë prezent në Shqipëri prej vitesh dhe që ka të bëjë me informalitetin dhe vetëpunësimin e padeklaruar. Raporti i BB vetëm se përforcoi faktin që në Shqipëri ka shumë të punësuar informal dhe të vetëpunesuar, të cilët fatkeqësia e karantinës u solli bllokim të mundësive për punë por dhe privim nga e drejta për të përfituar “pagën e luftës”. Në këtë këndvështrim jo vetëm nr e të papunëve i deklaruar nga burimet zyrtare është më i lartë por dhe ndikimi apo mbështetja e shtetit për këtë kategori “të panjohur” rrjedhimisht është inekzistent.
Pra nisur nga këta tre tregues dalim në konkluzionin se papunësia në Shqipëri deri në fund të vitit do të jetë mbi 100.000 të papunë reale dhe faktikë.
Së fundmi, për të zbutur papunësinë dhe nxitur punësimin, qeveria prezantoi një plan subvencionues për bizneset duke i subvencionuar në varësi të kohëzgjatjes së kontratës së punës, pagën minimale atyre që do të punësonin të papunët e mbetur nga pandemia. Ky plan mbështetjeje financiare u shoqërua me një mungesë transparence në prezantim në lidhje me nr e të papunëve përfitues, sigurinë dhe garancinë mbi seriozitetin e zbatimit praktikisht të tij por dhe si ai do të shmangë arbitraritetin në përzgjedhjen e kompanive përfituese të këtyre fondeve. Në këtë rast ashtu si me “pagën e luftës” kemi të bëjmë me një suport vetëm “me para në dorë” dhe jo një politike strategjike për nxitjen dhe stimulimin në plan afatmesëm dhe afatgjate të punësimit.
Në këtë situatë dhe referuar shifrave, një ndër sektorët me të goditur është dhe sektori i Turizmit i cili sipas anketimit të Këshillit të Investimeve, pati rreth 75% të aktiviteteve të mbyllura. Ky sektor hasi vështirësine madhore të mungesës së klientëve nga mbyllja e kufijve dhe masat e karantinimit jo vetëm të Shqipërise por edhe vendeve të tjera të origjinës nga vijnë turistët e huaj duke rritur kësisoj numrin e anullimeve dhe zvogëluar nr e prenotimeve. Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2020, janë 364.574 krahasuar me Qershor 2019 kemi një rënie prej 66,3 %. Në Qershor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 179.594 krahasuar me Qershor 2019, ky numër ka rënë me 71,5 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020 është 781.894, duke rënë në total me 63,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Operatorët hotelierë dhe agjensitë turistike u përballën me një shifër të lartë të papunësisë duke operuar dhe përdorur të gjitha menyrat dhe mjetet e mundshme për ti mbajtur punonjësit në punë si: pezullimin e aktivitetit me shpresën e rifillimit, shfrytëzimin e lejeve vjetore përgjatë pandemisë, aplikimin për ta për “pagën e luftës” dhe atë të plotë akorduar për këtë sektor, reduktimin e arsyeshëm të pagës konform mundësisë së punëdhënësit bazuar në rezervat e tij financiare.
Rishtas i gjithë promovimi edhe i Minstrisë se Turizmit dhe Mjedisit, është drejt turizmit vendas dhe destinacioneve turistike të vendit. Kjo kthesë për “joshje” të turistit vendas për të pushuar në Shqipëri, i ofroi sadopak një dozë të ulët frymëmarrje operatorëve turistike dhe hotelierë duke i bërë sadopak optimistë që do rivënë në aktivitet bizneset e tyre duke rikthyer në punë me kohë të plotë apo të pjesshme të punësuarit e tyre.
Thirrja, sloganet e motot për të pushuar brenda vendit do të duhet të shoqëroheshin edhe me plane strategjike politikash sesi do të operojë dhe jetë atraktiv turizmi në bashkëjetesë me pandeminë. Fushatat duhet të përqëndrohen mbi modelet apo menyrat se si duhet të përmirësohet dhe rivitalizohet profesionalizmi i operatorit vendas kur i drejtohet turistit vendas. Po ashtu politikat duhet të përfshijnë edhe menyrën e kurimit të mentalitetit të abuzivizmit me çmimet në zonat turistike dhe si do të orientohen të përshtaten operatorët hoteleierë dhe turistikë me shijet dhe zgjedhjet e pushuesit vendas.
Pushuesi vendas jo gjithmonë ka qenë i preferuar i tyre në përceptim, jo vetëm si pasojë e pamundësisë ekonomike për të përballuar shpenzime të larta për akomodim dhe pushime, që do të sillnin me shumë fitime por edhe si i papërgatitur dhe edukuar ti përgjigjet standarteve të një turisti, në lidhje me qasjen, konceptin dhe këndvështrimin e të bërit turizëm.
Në këtë drejtim do të duhet që Ministria e linjës të hartojë politika strategjike sesi do ta ndërlidhë e përshtasë edhe si mjet promovimi në emergjencë në këtë rast, operatorin vendas me turistin dhe pushuesin vendas. Duhen realizuar kërkime dhe studime për njohjen e çdo preference, dëshire dhe kërkese të turistit vendas, që më pas të forcohet dhe konsolidohet kërkesë-oferta brenda vendit.
Ky hap do të përbënte një mundësi, shans dhe motiv jo vetëm për patriotizëm por edhe për tu rikthyer tek vlerësimi dhe nevoja për ndërgjegjësim për të njohur dhe zbuluar potencialet reale turistike që ka vendi yne, e që medoemos duhet të zbulohen, shijohen dhe promovohen.
Hartuesit dhe promotorët e politikave mbështetëse do të duhet të ndërmjetësojnë dhe lobojnë fort për të thithur financime dhe donacione, për të zhvilluar dhe rritur profesionalisht burimet njerëzore të turizmit dhe certifikim të tyre. Kjo mbështetje do ti bënte ata që të ishin më konkurues me aftësitë dhe standartet e tyre jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij. Përpjekjet për hartimin e vazhdueshëm dhe intensiv të fushatave më inteligjente të promovimit duke eliminuar “thirrjen apo ftesën për eksplorim” si mjet “dëshpërues” në marketing duhet të intensifikohen dhe orientohen drejt nxitjes së kuriozitetit dhe imagjinatës së turistit dhe vizitorit për të korrur një sukses të garantuar.
Si përfundim, rritja e punësimit në sektorin e turizmit në veçanti më së shumti arrihet vetëm nëse operatorët vendas bëhen në masë atraktiv dhe të ndjeshëm fillimisht ndaj afrimit dhe mirëmbajtjes së turistit dhe pushuesit vendas dhe më pas atij të huaj.
Një frekuentim i lartë i destinacioneve turistike në këtë masivitet dhe me këtë rradhë, do të ishte një bazë e garantuar e një dosmodoshmërie të shtuar për punonjës të rinj nga ana e operatorëve hotelierë dhe turistikë.
Në të njëjtën kohë, ky koncept do të krijonte një mjedis dhe një frymë pozitive e motivuese me funksion transmetimin më larg dhe me gjerë të vlerave, kulturës, standarteve, mikëpritjes, kënaqësinë e shijimit të pushimeve dhe traditës të vendit tonë jo vetëm tek turistët vendas por dhe tek ata të huaj.
Lexo numrin e plotë te SCAN Magazine:
http://online.anyflip.com/sbspu/qqbq/mobile/index.html#p=1
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.