Analiza për 2016, Ahmetaj: Presim përmirësim të rritjes ekonomike nga konsolidimi fiskal
“Rritja ekonomike gjatë vitit 2016 ka qenë në nivelin 3.4 për qind”. Kështu është shprehur gjatë një konference për mediat, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili më tej pohoi se BSH dhe qeveria presin përmirësimin e rritjet ekonomike edhe gjatë 2017 në nivelin 3.5%.
Gjatë analizës për 2016, Ahmetaj shtoi se “Kemi rritje të të ardhurave, tregu i punës vazhdon të rritet, kemi një ringritje të lehtë të kredisë në USD”, u shpreh ministri i Financave.
Duke bërë përshkrimin e ecurisë ekonomike gjatë 2016, Ahmetaj foli edhe për uljen e kredive me probleme dhe rritjen e inflacionit:
“Kemi pasur ulje të kredive me probleme. Sa i takon inflacionit, ai e ka marrë veten pas uljes. Sot inflacioni llogaritet në nivelin 2.34 për qind”, u shpreh ministri.
Gjithashtu, ai foli edhe për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ku tha: “Numri i aplikimeve për procesin e rivlerësimit të pasurive ka arritur në 31 564. E llogaritur në ditë, mesatarisht aplikojnë rreth 80 shtetas. Sa i takon procesi të rivlerësimit nga buxheti i qytetarëve janë shpëtuar 180 mln USD. Vendosëm të shtyjmë afatin e rivlerësimit për shkak të fluksit të aplikimeve”.
Në këtë konferencë, Ahmetaj foli edhe për “e-Albania”, i cili pohoi se shumë shërbime mund të merren në këtë portal, madje ai u ndal tek shtresa e ish të përndjekurve politikë për procedurat e pagesave “Ish të përndjekurit politikë mund të marrin pagesat duke aplikuar përmes shërbimit on-line. Kjo kategori tashmë nuk ka pse të qëndrojë dyerve të MF për aplikim”
Kreu i Financave është ndalur te eksportet dhe importet: “Sa i takon eksporteve kemi një rritje me 10 % në 2016 . Kemi një trend pozitiv të importeve. Importi i makinerive dhe pajisjeve llogariten në nivelin 11.5%”.
Ministri foli edhe te të dhënat e “The Heritage Foundation” ku u shpreh se opozita duhet të ishte më e saktë me të dhënat, ndërkohë më tej shtoi se:
“Ekonomia po forcohet, qeveria po ndërmerr reforma institucionale dhe ekonomike. Duam të vazhdojmë konsolidimin fiskal, pasi dua të kemi rritje ekonomike dhe duam të vazhdojmë uljen e borxhit” , pohoi Ahmetaj
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.