Analizë/ Kush po e fiton luftën tregtare që nisi Trump?
Për shumë dekada, liderët e zgjedhur të SHBA-së janë pajtuar me parimet e tregtisë së lirë. Por në vitin 2016, presidenti i sapo zgjedhur Trump e pikturoi në mënyrë të qartë tregtinë si një lojë me shumë zero, në të cilën SHBA gjithmonë humbet.
Pasi mori detyrën, ai filloi një luftë tregtare shumëpalëshe, duke filluar sulme në Evropë, Meksikë, Kanada, Japoni dhe veçanërisht Kinë.
Cili ka qenë efekti i zhvendosjes së SHBA drejt proteksionizmit? Deri më tani, provat sugjerojnë se fitimet ekonomike mbeten të paprekura. Nëse lufta tregtare ka sjellë ndonjë gjë, thjesht dhe vetëm ka ndikuar në sferat e gjeopolitikës dhe ideologjisë.
Tarifat e Trump për Kinën kanë sjellë shumë pak të ardhura, më pak se 20 miliardë dollarë që nga fillimi i vitit 2018. Hakmarrja kineze nga ana tjetër, ka goditur fermerët e mëdhenj të SHBA-së, duke detyruar Trump dhe Kongresin që të hartojnë politika të reja për t’i mbrojtur ato me subvencione. Këto pagesa deri më tani kanë arritur në më shumë se 25 miliardë dollarë. Në terma fiskal, tregtia me Kinën ka qenë një humbje.
Ndërkohë, masat e shpëtimit nuk janë duke luftuar të gjitha dhimbjet e shkaktuara nga hakmarrja kineze. Falimentimet e fermave në SHBA janë rritur: qëllimi i luftës tregtare, natyrisht, nuk ishte për të ndihmuar fermerët, por për të ndihmuar prodhuesit vendas. Por hakmarrja kineze ka dëmtuar prodhuesit si Boeing Co., Caterpillar Inc. dhe Deere & Co. Dhe tarifat e Trump në inputet si çeliku dhe alumini nuk kanë qenë me vlerë për kompanitë në ato sektorë.
Ndërkohë, punësimi në prodhim në SHBA nuk është përshpejtuar krahasuar me periudhën para ardhjes së Trump në presidencë. Eksportet e prodhimtarisë gjithashtu janë rritur më ngadalë se në të kaluarën dhe ranë në tremujorin e parë të vitit 2019.
Një gjë që tarifat kanë bërë ama, është ngritja e çmimeve për konsumatorët amerikanë. Studime të shumta ekonomike kanë arritur në përfundimin se në thelb të gjitha të ardhurat e rritura nga tarifat, kanë dalë nga xhepat e amerikanëve.
Pra, në aspektin ekonomik, lufta tregtare e Trump ka qenë një humbje në çdo front. Megjithatë, luftërat tregtare gjithashtu kanë të bëjnë me mbizotërimin gjeopolitik dhe sigurinë kombëtare.
Megjithëse konsumatorët amerikanë kanë përballuar koston monetare të tarifave, ato mund të kenë dëmtuar Kinën, një rival gjeopolitikë të tyren, edhe më shumë. Rritja ekonomike e Kinës po tregon shenja të ngadalësimit të mëtejshëm. Investimet në atë vend janë ulur ndjeshëm që nga fillimi i luftës tregtare në mes të vitit 2018.
Paralelisht me tarifat e Trump, SHBA ka zhvilluar një lloj tjetër lufte tregtare kundër Kinës që synon të zvogëlojë mbizotërimin kinez në industritë e teknologjisë së përparuar. Armët në këtë luftë të dytë tregtare përfshijnë kufizime në eksportin e produkteve kryesore të teknologjisë për kompanitë kineze dhe kufizime në investimet kineze në industrinë e teknologjisë amerikane. Ndikimi i shpejtë dhe shkatërrues i kufizimeve të eksportit në Huawei Technologies Co të Kinës tregon efektivitetin e këtyre armëve të përdorura.
Kështu, edhe pse proteksionizmi ka dëmtuar SHBA, ai mund të ketë dëmtuar rivalin kryesor të SHBA-së edhe më shumë. Nëse kjo ia vlen apo jo, varet nga këndvështrimi i gjithsecilit për gjeopolitikën dhe rëndësinë e hegjemonisë së vazhdueshme amerikane.
Në afat të gjatë, ndikimi më i rëndësishëm i luftës tregtare mund të jetë ideologjik. Një barrierë psikologjike është thyer, dhe ajo që dikur ishte një konsensus i rehatshëm elitar në favor të tregtisë së lirë, po lëkundet fuqishëm në drejtim të kundërt. Të majtët kërkojnë dhe po luftojnë tani për një dollar më të dobët dhe një qeveri që ndërhyn edhe në import-eksportet. Të djathtët po ngrohen me idenë e ndërhyrjes së qeverisë në emër të industrive kryesore.
Këto ide të reja nuk mund të vlerësohen akoma lehtë. Ka shumë plane të ndryshme konkurruese për proteksionizmin dhe politikën industriale të qeverisë, dhe secila do të gjykohet në meritat e veta. Shumë prej tyre janë eksperimentale dhe të paprovuara. Por një gjë është e sigurt, mbizotërimi i mendimit intelektual në SHBA mbi tregtinë e lirë ka marrë fund.
Burimi: Bloomberg https://www.bloomberg.com/opinion/articles/2019-08-01/trump-s-trade-war-has-hurt-both-the-u-s-and-china?srnd=opinion
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.