Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE – Diplomati kroat: Bullgaria, ndërmjetës i rëndësishëm në negociata
Ish-ministri i jashtëm kroat dhe eurodeputeti aktual, Tonino Picula, është shprehur se “Bullgaria mund të jetë një ndërmjetës i rëndësishëm” në negociatat për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Bullgaria mund të jetë një ndërmjetës i rëndësishëm në negociatat midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE, duke marrë parasysh angazhimin e saj ndaj politikës së zgjerimit dhe integrimit evropian”, u shpreh Picula.
Ai shtoi më tej se Bullgaria është e fokusuar në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira me vendet fqinje.
“Pa dhënë shpresë të rreme, Bullgaria fokusohet në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët, duke përfshirë çështje që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, komunikimit dhe arsimit”, tha ai.
Bullgaria udhëheq Presidencën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që nga 1 janari i këtij viti për një periudhë 6 mujore. Perspektiva e Ballkanit Perëndimor për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është edhe një nga çështje kryesore nën drejtimin e saj.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.