Anëtarësimi në Bashkimin Europian – Preçi: Do të ofrojë mjedis të qëndrueshëm për ekonominë
Anëtarësimi në Bashkimin Europian do ta ndihmonte vendin tonë që potencialet që zotëron përfshirë dhe ato ekonomike, të mund ti ofroj në një mjedis që gjeneron mundësi mirëqenie për qytetarët. Kështu është shprehur në një intervistë për televizionin SCAN, eksperti i ekonomisë Zef Preci vetëm 2 ditë para marrjes së vendimit, nga shtetet anëtare të BE, nëse vendi ynë do jetë pjesë e saj.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian në njëfarë mënyre është si të marrësh pjesë në një ekip të caktuar. Do të thotë që përvetëson rregullat e lojës dhe luan si i barabartë me të tjerët, pavarësisht nëse ke hyrë nga fillimi i lojës apo ke hyrë në mes të lojës, meqë jemi edhe në periudhën e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit. Unë në të ardhmen Shqipërinë në Bashkimin Europian e shoh si një mundësi që Shqipëria këto potenciale që zotëron, qoftë natyrore, qoftë njerëzore, se pas 30 vjetësh janë krijuar kapacitetet njerëzore dhe s’duhet t’i injorojmë, qoftë akademike, qoftë në botën e biznesit, të mund t’i ofrojë një mjedis më konkurrues, më produktiv, i cili gjeneron shpresë, mundësi dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Preçi.
Lidhur me faktin se sa e gatshme është ekonomia e vendit tonë për t’iu përgjigjur detyrimeve që lindin nga anëtarësimi Preçi u përgjigj:
“Progresi ynë në plotësimin e atyre që njihen si prioritete, si kushte, apo elementë që e bëjnë funksional sistemin, për rrjedhojë e përafrojnë me Bashkimin Europian, nuk është në masën e duhur për fat të keq”, tha Preçi.
Eksperti i ekonomisë shtoi se domosdoshmëri ngelet , përmirësimi i financave publike, krijimi i një klime besimi te investitorët vendas dhe të huaj si edhe shmangia e eksperimenteve nga ana e qeverisë nëpërmjet investimeve me partneritet publik privat.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.