Anëtarësimi në BE – Balla: Thellojmë refomat. Deputeti gjerman: Reforma zgjedhore, me opozitën
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shprehur vendosmërinë e qeverisë shqiptare në drejtim të vijimit të reformave, me qëllim anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Gjatë një konference për shtyp me deputetin gjerman, Nikolas Label , Balla tha se reformat do të thellohen në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe krijimin e një ekonomie tregu funksionale.
“Do të vijojmë konsolidimin e reformave, kryesisht në fushat që janë kritike, por themelore në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, që kanë të bëjnë me sundimin e shtetit të së drejtës; një ekonomi tregu funksionale dhe konkurruese, ku në fakt të dhënat dhe pritshmëritë janë shumë pozitive; vijimi i një ritmi në luftën kundër krimit të organizuar, duhet të ecim me këtë ritëm; në luftën kundër korrupsionit; thellimin dhe konsolidimin e procesit të vettingut dhe ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, u shpreh Balla.
Deputeti gjerman përshëndeti vendosmërinë e deritanishme të qeverisë në drejtim të reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, ndërsa kërkoi që reforma zgjedhore të marrë edhe konsensusin e opozitës.
“Reforma Zgjedhore është shumë e rëndësishme për të krijuar një stabilitet të fuqishëm politik dhe duhet të marrë mbështetjen jo vetëm të shumicës parlamentare, por edhe përtej, për të qenë një reformë e qëndrueshme. Janë 35 kapituj anëtarësimi, të cilët duhen përshkuar”, tha Label.
Sipas Label, është e rëndësishme që Shqipëria të bindë jo vetëm Gjermaninë, por të gjithë shtet e Bashkimit Evropian në mënyrë që të qershor të vitit 2019 të marrë vendimin pozitiv drejt integrimit evropian.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.