Anëtarët për Gjykatën Kushtetuese – Presidenti Ilir Meta shpall hapjen e garës për dy vende vakante
Presidenti Ilir meta ka shpallur hapjen e garës për dy vende vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, institucioni bën me dije se bëhet fjalë për vendin “Vakancë e parë”, krijuar nga mbarimi i mandatit të ish gjyqtarit të kësaj gjykate, Sokol Berberi.
Si dhe për “Vakancën e Parakohshme”, krijuar nga dorëheqja e ish gjyqtarit Besnik Imeraj, para përfundimit të mandatit. Në njoftim theksohet se afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është data 22 shkurt 2018.
“Presidenti i Republikës fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.