Anglia zbut masat e karantinës / Hapen pishinat dhe disa ambiente të sportit. Johnson bën thirrje për kujdes
Urdhëri i qëndrimit në shtëpi i Anglisë ka përfunduar ditën e Hënë dhe njerëzit janë lejuar të takohen në ambiente të jashtme në grupe me mbi 6 persona, për të parën herë në 3 muaj. Megjithatë, Kryeministri Boris Johnson bëri thirrje për kujdes, për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus në Evropë.
Johnson lajmëroi një karantinë të tretë në Angli më datë 4 Janar, por ka thënë se planifikon të ndjekë një rrugëtim të kujdesshëm larg karantinës, të nxitur nga shpërndarja e shpejtë e vaksinave. Kjo bën kontrast me pjesën më të madhe të Europës, ndërkohë që Gjermania dhe Franca po përballen me valën e tretë të infeksionit të Covid-19 dhe shtrimeve në spitale.
Johnson ka paralajmëruar gjithashtu se variantet e ndryshme të koronavirusit përbëjnë rrezik për programin e vaksinimit në Britani, që është i katërti më i shpejtë në botë pas Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kilit. “Duhet të tregojmë kujdes përballë rritjes së rasteve në Evropë dhe varianteve të reja që kërcënojnë imunizimin”- tha Johnson, duke shtuar se pavarësisht zbutjes së masave, njerëzit duhet t’i binden rregullave. Nga e Hëna, deri në 6 persona apo 2 familje në Angli, mund të takohen jashtë shtëpive, ndërkohë që ambientet e sportit, si pishinat, fushat e tenisit dhe të basketball-it, mund të përdoren duke limituar kontaktin social. Megjithatë, rihapja e dyqaneve jo-bazike me pakicë dhe qendrat e mikpritjes në ambiente të jashtme, nuk do të ndodhë të paktën deri më 12 Prill.
Qeveria do të caktojë gjithashtu një zyrë të re për Promovimin e Shëndetësisë që do ndihmojë të trajtojë obezitetin, do përmirësojë shëndetin mendorë dhe promovojë ushtrimet fizike. Obeziteti është një ndër faktorët e mëdha të rrezikut ndaj Covid-19 dhe vetë kryeministri Johnson, tha se ishte i tillë kur u sëmurë rëndë vitin e kaluar.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.