Ankand për parqe eolike, Ministria: “Do mbështesim disa projekte, kapaciteti total do jetë 130 MW”
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të zhvillojë ankandin e parë për ndërtimin parqeve eolike, përmes një skeme të ngjashme me atë të përdorur për parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe Spitallës. Ankandi pritet të zhvillohet në 3-mujorin e parë të vitit 2021, duke synuar diversifikimin e burimeve energjitik të vendit. Sipas një njoftimi paraprak të ministrisë ministrisë, ankandi do t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte me një kapacitet minimal prej 30 MW dhe një kapacitet maksimal prej 75 MW, nga ku MIE do të përzgjedhë për të mbështetur me marrëveshje për blerjen e energjisë, projekte me një total prej 130 MW.
Sipas ministrisë, njoftimi paraprak përpara shpalljes së ankandit i vjen në ndihmë investitorëve, duke i ftuar që të identifikojnë dhe zonën ku do të ndërtojnë impiantin eolik, në mënyrë që të përdorin të gjithë kohën e disponueshme nga shpallja e ankandit e deri te hapja e ofertave për të kryer matjet e nevojshme në zonë, pasi këto matje kërkojnë 12-15 muaj. Paralelisht, në ndihmë të investiotrëve të interesuar është vendosur edhe një studim i financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), me mbështetjen e BERZH-it.
Ky raport teknik rekomandon zonat potenciale me energji nga era dhe shmang përmes hartave të gjitha zonat e mbrojtura dhe ato ku nuk mund të vendosen parqet eolike. Aktualisht era, si një burim për prodhimin e energjisë nuk është shfrytëzuar ende në vendin tonë, pavarësisht potencialit të lartë që ai paraqet. Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar disa shoqëri në ushtrimin e këtij aktiviteti, por puna në terren nuk ka nisur ende.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.