Ankesat e biznesit – 426 tatimpagues në proces ankimimi të Tatimet
Komuniteti i biznesit është ankuar shpesh për arbitraritet të administratës tatimore dhe vendosje të penaliteteve të pa merituara. Për këtë dhe numri i ankimimeve apo apelimeve të këtyre vendimeve kanë qenë jo të pakta, si në drejtorinë e apelimit apo në gjykata.
Referuar të dhënave zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri i bizneseve që janë në proces ankimimi arrin në 426. Sipas këtyre statistikave, numrin më të madh të ankimimeve e zënë biznese të regjistruara pranë drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Tiranë, me rreth 124, ndërsa më pas vjen Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, apo siç njihen në gjuhën e përditshme bizneset Vip, me 91 ankimime.
Më pas vijnë ankimimet nga drejtoritë rajonale të tatimeve, si Lezha me 50, Durrësi me 40, Vlora me 26, Elbasani me 24 dhe Fieri me 13.
Por të gjithë këta tatimpagues të përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ligji i faljes, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit e rekursit.
Kjo është formula për të përfshirë në ligjin e faljes edhe bizneset që janë në gjyq me Tatimet.
Aktet e dorëheqjeve, më pas dërgohen nga Drejtoritë Rajonale në adresë të strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim përfshirjen në faljen automatike që do të bëhet në sistemin elektronik.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.