Ankesat e kompanive për aeroportin e Vlorës – KPP i pranon pjesërisht, i hapet rruga finalizimit të garës për koncesionin 35-vjeçar
Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar pjesërisht ankesën e depozituar nga kompania Global Techincal Mecanics, për garën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kjo kompani kundërshtonte disa prej kritereve të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që duhet të plotësohen nga kompanitë e interesuar për realizmin e kësaj vepre aeroportuale, si dhe informacion të shtuar mbi nivelin e aeroportit të pranueshëm.
Në vendimin e tij Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar ankesën për kriteret, ndërsa ka pranuar kërkesën për nivelin e aeroportit, duke detyruar autoritetin kontraktor në përmbushjen e tij. Me marrjen e këtij vendimi, i hapet rruga finalizimit të garës për ndërtimin e aeroporti të Vlorës, që është shoqëruar me një sërë vonesash. Fillimisht gara u hap në datën 19 dhjetor 2019, teksa do të qëndronte e hapur për kompanitë e interesuara deri në 13 mars.
Sipas afateve të prezantuara parashikohej që deri në 31 maj 2020 të kishin nisur punimet, por situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që fillimisht të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave deri në datën 30 mars, ndërsa në një shtyrje të dytë afati i ri u vendos data 21 prill. Por, duket se impakti i pandemisë ishte edhe më i lartë në këtë garë ndërkombëtare, çka bëri që zyrtarisht, në datën 31 mars, gara të pezullohej.
Ndërkaq, në datën 23 nëntor 2020 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi rihapjen e garës ndërkombëtare, duke lënë 1 muaj afat për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara. Ndërtimi i Aeroporti të Vlorës parashikohet të kryehet përmes një partneritetit publik-privat, ku fillimisht kompania fituese do të duhet të kryejë investimin , ndërsa do të ketë të drejtën e operimit për një periudhë 35-vjeçare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.