Ankesat për procedurat tenderuese – Në 3 muaj, KPP pranon ankesat e 65 operatorëve ekonomikë, 4 hetime administrative
Në vetëm 3 muaj Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar 7 procedura të prokurimit publik, si dhe ka pranuar 65 ankesa të operatorëve ekonomikë për parregullsi gjatë kryerjes së tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga ky dikaster, gjatë periudhës 17 tetor- 31 dhjetor 2020 janë shqyrtuar 147, nga 178 ankesa të paraqitura nga operatorët ekonomikë për proçedura të prokurimit publik dhe koncesioneve.
Ndërkaq, pas shqyrtimit në themel, në bazë në 147 vendimeve, 65 ankesa u pranuan, duke u dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, ndërkohë që 89 ankesa të tjera nuk janë pranuar. Sipas të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik, në bazë të vendimeve të mësipërme janë zhbllokuar rreth 7.8 mld lekë apo rreth 63.2 mln euro fonde publike, investime në punë/mallra dhe shërbime.
Ndërkaq, gjatë kësaj janë referuar katër çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për hetim administrativ të mëtejshëm për procedurat e prokurimit, për disa institucione e më konkretisht: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Bashkia Sarandë dhe Shoqëria e Ujësjellës-Kanalzime Berat-Kuccovë. Ndërkaq, për periudhën 3-mujore KPP raporton se janë derdhur garanci për procedura prokurimi, duke gjeneruar për këtë periudhë të ardhura jashtë buxhetore në vlerën totale prej 75.2 mln lekë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.