Ankimohet bursa e energjisë – Kompania sllovake: Janë vendosur kritere diskriminuese dhe përjashtuese. Të rishikohen
Tenderi për ngritjen e bursës së energjisë ka përfunduar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, pas një ankese të bërë nga kompania sllovake “Sfera”, që pretendon se kërkesat e tenderit janë diskriminuese dhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar, duke përfshirë Kushtetutën e Shqipërisë, Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe ligjin shqiptar “Për prokurimin publik”. Sipas ankesës së depozituar në KPP, teksa rendit një sërë prej kërkesave që duhet të përmbushin kompanitë sipas dokumenteve të tenderit “Sfera” beson se ato kanë karakter diskriminues dhe efekt të mbylljes së tregut, pasi përjashtojnë pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, shumicën e ofertuesve të mundshëm të shërbimeve që kanë kapacitetin e nevojshëm teknik dhe menaxherial dhe mund të menaxhojnë me efikasitet funksionimin e përditshëm të segmenteve të tregut të organizuar njëditore dhe intraday në Shqipëri dhe Kosovë dhe bashkimin e tyre.
Gjithashtu, sipas kompanisë sllovake këto kritere të përzgjedhjes nuk janë në përputhje me rregullat e konkurrencës së Bashkimit Evropian. Teksa ka paraqitur edhe argumentet mbi shkeljet e pretenduara, ajo i ka kërkuar Komisionit të Prokurimit Publik dhe Autoritetit Kontraktues të modifikojnë kriteret e përzgjedhjes, duke hequr disa prej kërkesave të vendosur. Në një kohë kur autoritetet pretendonin se bursa do të ishte funksionale në 3-mujorin e parë të këtij viti, ngritja e këtij instrumenti të rëndësishëm po pasohet nga vonesa të njëpasnjëshme. Pas procedurës së parë të hapur të muajin mars, tenderi u rihap në datën 21 qershor, por sërish nuk arriti të përfundojë me një operator fitues, duke u anuluar për shkak se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk është në përputhje me kërkesat e Dokumenteve Standarde të Tenderit.
Më pas ara u rihap në muajin gusht, por depozitimi i ankesës nga “Sfera” nënkupton edhe vonesën e radhës në drejtim të ngritjes së Platfomës Elektronike të Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës. Listimi i prodhuesve të energjisë elektrike, paarshikohet të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjithë bizneset e liberalizur që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Nga ana tjetër, pritet që tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët, ndërsa prodhuesit do të kenë mundësi të shesin e blejnë, duke u bërë pjesë e platformave rajonale të tregtimit të saj.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.