Ankimohet edhe Medja? Kërkesa e ONM pranë Komisionerëve publikë për gjykatësin administrativ
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z.Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në datën 1 gusht 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja.
Ndërkohë, Komisionerët Publikë theksojnë se, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Seanca dëgjimore e gjyqtarit Gentian Medja u zhvillua më 30 korrik.
Gjatë relatimit të çështjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se ai nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, ndërkohë që ky fakt qe konfirmuar edhe më parë nga ILDKPI.
Përsa i përket pasurive në para, ai zotëron një llogari prej rreth 1.1 milionë lekësh bashkë me prindërit. Pak ditë më parë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, si dhe atij të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.