Ankimohet tenderi i teatrit të ri – Proceduart e prokurimit me vlerë 60.3 milion lekë, një kompani i drejtohet KPP-së
Tenderi për studimin dhe projektimin e teatrit të ri të Tiranës ka përfunduar në Komisonin e Prokurimit Publik, pasi një prej kompanive ka depozituar ankesë në datën 14 shtator. Ankimimi i procedurës së prokurimit është bërë nga kompania Gjeo Konsult & Co, ndërkohë që janë të paqarta arsyet se përse kjo kompani i është drejtuar organit më të lartë në fushën e prokurimeve, që shqyrton ankesat për procedurat tenderuese.
Megjithatë, kryesisht arsyet që kompanitë i drejtohet këtij institucioni lidhen me dokumentet dhe kriteret e tenderit që mund të cilësohen si diskriminuese apo në rastin kur operatori ekonomik kundërshton vendimin e shpalljes së fituesit nga autoriteti kontraktor, që në këtë rast është Bashkia e Tiranës. Tenderi për studim-projektimin e Teatrit të ri u hap në datën 3 korrik, teksa koha e lënë në dispozicion për kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në garë ishte vetëm 11 ditë.
Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë shërbim është 60.3 mln lekë, ndërkohë që hapja e tenderit erdhi pas prishjes së bujshme të Tetarit Kombëar teksa i gjithë vendi ishte në karantinë për shkak të COVID-19. Rreth orës 4 të mëngjesit të datës 17 maj, policia rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar, teksa fadormat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit shembën goditën historike, duke i dhënë fund rezistencës prej 2 vite e gjysmë të artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, që kërkonin ruajtjen e tij.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.