Ant Financial gjeneron $14 mild – Raundi më i madh i financimit i regjistruar ndonjëherë
Ant Financial, operatori më i madh i pagesave online të Kinës, bëri të ditur se ka gjeneruar 14 miliardë dollarë, gjë që tregtarët e quajnë mbledhjen më të madhe të fondeve në historik nga një kompani private.
Paraja e re do të rrisë kapacitetin e kompanisë, përpara ofertës publike fillestare në Hong Kong dhe Shangai në fillim të vitit që vjen. Sipas analistëve, ushtrimi shënoi raundin më të madh të mbledhjes së fondeve në histori.
Ant Finanical u shkëput nga kompania Alibaba përpara se gjiganti i tregtisë të bëhej publik në 2014-ën. Firma e pagesave ka luajtur një rol të madh në formimin e teknologjisë financiare të kinës, ndërkohë që menaxhon aplikacionin më të madh të pagesave me aparat celularë.
Ant Financial deklaroi se raundi i financimit përfshiu këste në dollar amerikan dhe juan kinez. Kompania nuk publikoi detaje të vlerës që ka pas raundit të financimit.
Sipas Reuters, vlerësimi i Ant Financial mund të arrijë në rreth 150 miliardë dollarë, gjë që e bën një nga firmat financiare më të mëdha në botë.
Kompania kineze deklaroi se do të përdorë fondet për të përshpejtuar planet e globalizimit për platformën e pagesave Alipay dhe për të investuar në zhvillimin e teknologjisë financiare (Fintech).
Kompania synon të arrijë 2 miliardë konsumatorë në të gjithë botën me rrjetin e pagesave, mbështetur nga investime dhe partneritete në Azinë Juglindore dhe lidhje të tjera me kompani të pagesave në Korenë e Jugut, Japoni dhe Indi.
Përveç pagesave, Ant Financial ofron gjithashtu produkte financiare për konsumatorët përfshirë shërbime të kreditit, menaxhim të pasurisë dhe mikro-kredi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.