“Anti-informaliteti 3”, Ahmetaj: Më 1 tetor fillojmë aksionin në terren. Si do të organizohet puna mes institucioneve
Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj zhvilloi paraditen e sotme një vizitë në një biznes prodhues të produkteve ushqimore.
Siç raporton gazetarja Violeta Shqalsi, gjatë kësaj vizite “krye-temë” e bisedës ka qenë aksioni kundër informalitetit.
Në fjalën e tij ministri Ahmetaj theksoi se ky aksion do të nisë nga data 1 tetor 2017: “Nga data 1 tetor 2017 fillojmë aksionin në terren. Ky është mandati i anti-informalitetit, do të kemi koordinim të të gjithë strukturave: te tatimet, doganat dhe inspektoriati i punës. Krahas aksionit kundër informalitetit, ndërmarrim një tjetër reformë të rëndësishme për lehtësimin e shërbimeve dhe reduktimin e burokracisë për sipërmarrjen dhe qytetarët”, u shpreh Ahmetaj.
Kështu, informaliteti në ekonominë shqiptare llogaritet të jetë rreth 40 për qind, për këtë arsye qeveria “Rama 1” ndërmori një aksion ndaj këtij fenomeni, ku faza e parë u fokusua në lëshimin e kuponit tatimor, faza e dytë te formalizimi i bizneseve, ndërsa faza e tretë që tashmë duket se e ka ngritur “siparin” do të nisë me kontrollin e bizneseve të madha.
Ministri ishte i shoqëruar nga drejtoresha e Tatimeve, Vasilika Vjero. Ndërkohë që tatimet kanë konstatuar se sektorët ku pritet të nisë ky kontroll do të jenë ata të nxjerrë nga sistemi i riskut dhe konkretisht janë përcaktuar 6 sektorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.