Anti-informaliteti, ende pa efekt – TVSH “godet” sërish të ardhurat, TAP shënon rekord
Rreth 265.3 miliardë lekë janë mbledhur në arkën e shtetit në 7 muajt e parë të vitit, dhe duket se fushata anti-informalitet ka dhënë efekt me vetëm 300 milionë lekë të mbledhura më shumë gjatë Korrikut, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm gjatë këtij muaji janë mbledhur 39.2 miliardë lekë nga 38.9 që u mblodhën në Korrik 2018. Të dhënat fiskale të Ministrisë së Financave, tregojnë se mbledhja e të ardhurave regjistrohet në rreth 1.4 miliardë lekë më pak se parashikimi i bërë për muajin Korrik.
Po të analizojmë të dhënat, gjatë fushatës anti-informalitet të nisur në fillim të Korrikut, të ardhurat nga tatimet dhe doganat regjistrohen në 26.5 miliardë lekë, duke arritur në total 176.9 miliardë lekë në 7-mujor.
Ndërsa krahasimisht me të njëjtën periudhe të një vitit më parë, rritja është 4.6 miliardë lekë. Luhatjet në kursin e këmbimit kanë vijuat të japin goditje buxhet, pasi të ardhurat nga TVSH kanë rënë me 2.5 miliardë lekë krahasuar me 7 muajt e parë të 2018-ës, duke u regjistruar në rreth 78.4 miliardë lekë.
Përpos efekte të kursit të këmbimit, mos-mbledhja e TVSH tregon edhe tkurrjen e konsumit dhe dinamizmin e dobët të ekonomisë. Ndërsa paralelisht ka rënë lehtshëm edhe vlera e rimbursuar. Po ashtu, negativisht kanë kontribuar taksat nacionale, ku janë mbledhur rreth 2.2 miliardë lekë më pak se 2018-ta dhe në total 20 miliardë lekë.
Performancë pozitive ka pasur mbledhja e tatimit mbi fititmin, me rreth 2.6 miliardë lekë, ku janë mbledhur rreth 22 miliardë lekë. Ndërsa rritjen më të madhe e ka shënuar tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur 26 miliardë lekë nga apo 5.2 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar.
Dhe ashtu sikurse pritej, të ardhurat nga akciza janë rritur me 1.2 miliardë lekë në raport me Korrik 2018. Sa i takon investimeve, janë disbursuar 34.6 miliardë lekë, apo rreth 2 miliardë më shumë se viti që lamë pas.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.