Antidepresivë pa recetë – Infermierja: Përdoren pa kriter. Rama: Ndryshime ligjore
Aktualisht ilaçet antidepresivë mund të blihen lirisht nëpër farmaci, pa qenë e nevojshme për një recetë mjeku çka ka sjellë përdorimin e tyre pa kriter”. Shqetësimi është ngritur nga një infermiere, në platformën e bashkëqeverisjes, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka premtuar ndryshimin e legjislacionit në këtë drejtim.
“Jam gjendur katër herë para situatash dramatike, të rinj që kanë marrë antidepresivë me shumicë, bëhet fjalë për 10-20 kokrra në raste të ndryshme dhe kanë qenë në rrezik jete dhe jemi detyruar të aplikojmë lavazhe, serume, etj. sepse ka qenë emergjente dhe na kanë thirrur familjet. Duke biseduar me këto familje, më shpjeguan që fëmijët e tyre i marrin pa asnjë problem në farmaci këto ilaçe, si stinox, xanax dhe diazepan, antidepresivë, të cilët të marra në masa të mëdha shkaktojnë vdekjen e njerëzve”, u shpreh infermierja Silvana Sinani.
“Ditët në vijim do të organizojmë një takim me përfaqësuesit e urdhrit të farmacistit, për të ngritur këtë problem shumë serioz, ashtu sikundër kemi futur menjëherë në planin e punës edhe ndryshimet përkatëse në ligj për të ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe me masa drastike në çdo rast kur shfaqet ky fenomen që mund të rezultojë edhe vdekjeprurës për adoleshentët”, deklaroi Rama.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri, platforma shqiperiaqeduam.al, ku çdo qytetar mund të shprehë shqetësimin apo problemet që has në zyrat e administratës publike, ka kaluar numrin e 50 mijë të interesuarve, ndërkohë që gjatë sezonit të pushimeve në këtë adresë, 4439 qytetarë kanë përcjellë ankesa, shqetësime e opinione. Ndërkaq, Rama ka ripërsëritur apelin për qytetarët për të zgjedhur këtë formë denoncimi si një mënyrë për bashkëveprimit mes anëtarëve të qeverisë dhe qytetarëve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.