Anulohet seanca plenare, Ruçi: Dhuna dëmton ekonominë e vendit
Seanca plenare e Kuvendit, e parashikuar për ditën e enjte, nuk do të zhvillohet. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njoftoi që seanca është anuluar, për shkak të protestës së paralajmëruar të opozitës dhe shqetësimit se aktet e dhunës, të ndodhura ditën e shtunë, mund të përsëriten.
Zoti Ruçi tha se aktet e dhunës dëmtojnë ekonominë e vendit dhe largojnë investitorët. Ai i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga vendimi për djegien e mandateve, çka do të ishte, sipas tij, një vetëvrasje politike.
Kryetari i Kuvendit tha se pushteti nuk mund të merret në tavolinë dhe, sipas tij, opozita ka gëzuar liri të shprehjes në këtë institucion, më shumë se kurrë më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.