Apel për zgjedhjen e administratorëve – Veliaj: Janë reduktuar problemet me pallatet
Rreth 2800 pallate në Tiranë kanë zgjedhur kryesitë e tyre për administrimin e mjediseve në bashkëpronësi, ndërsa në 500 të tjera janë zgjedhur edhe administratorët. Gjatë një takimi me administratorët dhe grupin e Task Forcës, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se kjo ka sjellë një reduktim të ndjeshëm të problematikave që shqetësojnë banorët, ku theksoi se për Bashkinë e Tiranës dhe qytetarët e saj është shumë e rëndësishme që procesi të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
“Më jep kënaqësi fakti se qindra vetë i kanë gjetur punë vetes falë angazhimit të komunitetit. Janë punësuar njerëz, jo vetëm task-forca, por sa njerëz po punojnë si adminsitratorë, çojnë një rrogë në shtëpi, që më përpara ose mund të kishin dalë në pension të parakohshëm ose mund të ishin të paangazhuar”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ai vlerësoi vendimin e Këshillit Bashkiak për shtimin e tre lagjeve të reja në Tiranë, duke theksuar se kjo do i afrojë banorët më shumë me shërbimet dhe u japë mundësi këtyre zonave që të marrin më shumë investime.
“Morëm një vendim në Këshillin Bashkiak për krijimin e tre lagjeve të reja, të cilat do t’i financojmë si lagje të reja. Do të thotë se do të duhet të bëjmë një buxhet specifik për këto lagje të reja. Në inventarin e bashkisë për zonën e Kasharit kemi 12 mijë vetë, por na rezulton nga censusi se aty jetojnë mbi 50 mijë, ndoshta edhe 80. Ama, kemi buxhetuar sikur të jenë 12 mijë. Kjo duhet rregulluar dhe krijimi i lagjeve të reja e realizon këtë. Na mundëson të kuptojmë sa banorë ju shërbejmë dhe si t’i ndajmë investimet për frymë”, u shpreh Veliaj.
Ndër të tjera, Kryebashkiaku Veliaj kërkoi mbështetjen e administratorëve për vijimin e aksionit të mbjelljeve të pemëve në Tiranë deri në datën 22 prill.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.