Aplikim për legalizim ndërtimi informal – Rregullat për të marrë vërtetimin përkatës
Portali e-Albania ofron tashmë një gamë të gjerë shërbimesh për qytetarët, duke shmangur kështu ‘vizitat’ në shumë institucione për marrjen e dokumenteve apo të dhënave të ndryshme.
e-Albania njofton të gjithë qytetarët të cilët kanë nisur procedurat për legalizim objekti se duhet ta provojnë zyrtarisht nisjen e procesit. Kjo bëhet për të shmangur çdo ndërhyrje të pakëndshme.
Kështu, fillimisht duhet të aplikoni në portalin e-Albania në shërbimin “Vërtetim për aplikim për legalizim ndërtimi informal”. Duke aplikuar online, ju nuk keni pse të shkoni personalisht në zyrat e ALUIZNI-t, në drejtorinë tuaj rajonale.
Ju duhet të jeni personi i cili ka bërë vetëdeklarimin e ndërtimit informal në mënyrë që të përfitoni nga shërbimi.
Lidhur me dokumentacionin, ju duhet një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) si dhe një kopje e vetëdeklarimit të objektit.
Procedura që duhet të ndiqni:
Së pari duhet të identifikoheni si qytetar në portalin e-Albania
Zgjidhni shërbimin “Vërtetim për aplikim për legalizim ndërtimi informal”
Klikoni butonin “Përdor”
Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular
Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit
Kështu, pas kësaj punonjësi i ALUIZNIT njoftohet për mbërritjen e aplikimit të ri në mënyrë elektronike dhe verifikon saktësinë e dokumenteve. Në rast pasaktësie apo mungese të dhënash, ai ju njofton dhe ju udhëzon për të riplotësuar sërish aplikimin.
Vërtetimi ju dërgohet me e-mail te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia”, si edhe me postë.
Sa i përket kohës së nevojshme për marrjen e shërbimit, afati parashikon 10 ditë që nga dita e aplikimit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.