Aplikimet për rritjen e çmimit të energjisë – ERE, Ahmeti: Ende s’kemi vendim për fillimin e shqyrtimit të kërkesave. Vendimi merret nga Bordi
Enti Rregullator i Energjisë po analizon aplikimet e bëra nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, për rritjen e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes, por ende nuk ka marrë vendim nëse do të fillojë procedurat për shqyrtimin e tyre”. Gjithçka bëhet me dije nga kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti i cili thotë për TV SCAN se vendimmarrja është kolegjiale dhe i takon Bordit.
Ne jemi në një proces të analizës së aplikimeve dhe kemi kërkuar dokumente shtesë nga ana e kompanive. Aktualisht, nuk është marrë vendimi nëse do të fillojë procedura për shqyrtimin e aplikimit apo jo. Nëse Bordi i Entit Rregullator të Energjisë do të vendosë për fillimin e procedurës për shqyrtimin e kërkesës së kompanive, atëhere normalisht do të ndiqen hapat ligjorë për përcaktimin e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes. Ne mbajmë parasysh një sërë komponentësh kur bëjmë shqyrtimet e aplikimve, sikurse janë: Shpenzimet për blerje energjie, investimet, humbjet në rrjet, arkëtimet, etj. Por, duhet të kuptojmë që vendimmarrja është kolegjiale dhe do të jetë Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, që do të vendosë nëse tarifat do të ndryshojnë apo jo.
Gjithashtu, Ahmeti thotë se në rast të fillimit të procedurës, përveç analizës së komponentëve të mësipërm, do të bëhen edhe konsultime me grupet e interesit.
Ne do të realizojmë konsultime me grupet e interesit. Është një praktikë që e zhvilluam edhe vitin e kaluar, ku përfshimë biznese apo shoqata të mbrojtjes së konsumatorit. Për fat të keq ato u ndërprenë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, por këtë vit kemi mundësi t’i zhvillojmë.
Niveli i kërkuar i rritjes së tarifave nga OSSH dhe OST është i ngjashëm me aplikimet e viteve të kaluar, ku OST kërkoi rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë në 1.31 lekë/kwh nga 0.75 lekë/kwh që është aktualisht. Ndërkohë që, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kërkoi që tarifa e shpërndarjes të shkonte në 3.70 lekë/kwh për klientët e lidhur në 35 KV nga 1.5 lekë/kwh që është aktualisht. Po ashtu, u propozua që kjo tarifë të shkonte në 4 lekë/kwh për klientët e lidhur në tensionin 6-20 kv nga 3.9 lekë/kwh që është aktualisht. Rritja e këtyre tarifave impakton drejtpërdrejt bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie, por edhe abonentët familjarë e biznese që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është pjesë e OSHEE-së. Kjo pasi kjo tarifë është pjesë përbërëse e formulës për përllogaritjen e çmimit final të energjisë, që aplikohet nga FSHU për klientët e saj.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.