Aplikimi për “Kartë Shëndeti” – Procedurat, dokumentet dhe rregullat për ta përfituar online. Kategoritë që trajtohen dhe vlefshmëria e dokumentit
Njësoj si për të rriturit, edhe për fëmijët 0-18 vjeç, aplikimi për kartë shëndeti mund të bëhet online përmes portalit “e-Albania” nga kryefamiljari.
Procedura mund të kryhet thjeshtë përmes një dokumenti identifikimi, pasi jeni regjistruar tek mjeku i familjes.
“Ky shërbim elektronik ju mundëson të aplikoni online për të pajisur me kartë shëndeti fëmijën. Kujdes: Përpara se të aplikoni, ju duhet të keni regjistruar fëmijën tuaj pranë mjekut të familjes. Nëpërmjet këtij shërbimi, kryefamiljarët mund të aplikojnë online për fëmijët nga 0-18 vjeç për t’i pajisur me kartë shëndeti.
Bazuar në vendimin e Qeverisë, nr.307, datë 21.05.2014 për “Regjistrimin dhe Identifikimin e Personave të Siguruar nga Sigurimi i Detyrueshëm Shëndetësor”, identifikimi i personave të siguruar në skemën e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, bëhet me anë të kartës së shëndetit. Karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar dhe përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë. Karta është personale, e patjetërsueshme dhe shpërndahet pa asnjë pagesë apo tarifë shërbimi”, thuhet në njoftimin e “e-Albania”.
Cilët mund të përfitojnë nga ky shërbim
Ky shërbim ofrohet menjëherë online për kategoritë e mëposhtme:
- fëmijë 0-1 vjeç
- fëmijë 1-18 vjeç
Dokumentacioni i nevojshëm
Kujdes: Përpara se të aplikoni, ju duhet të keni regjistruar fëmijën tuaj pranë mjekut të familjes.
-Dokumenti i identifikimit të përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Dokumentet që duhet të paraqiten pranë qendrës shëndetësore, pasi është kryer aplikimi online për kartë shëndeti:
-Dokumentacion identifikues:
-Për shtetasit shqiptarë: Kartën e Identitetit; për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, në mungesë të Kartës së Identitetit, paraqitet certifikata e gjendjes civile ose pasaporta, te cilat janë dokumente që përmbajnë numrin personal të identitetit.
-Për shtetasit e huaj: leja e qëndrimit ose leja provizore e qëndrimit e lëshuar nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.
-Dokumentacionin që vërteton kategorinë përfituese dhe afatin e përfitimit.
Hapat e procedurës
Kujdes: Përpara se të aplikoni, ju duhet të keni regjistruar fëmijën tuaj pranë mjekut të familjes.
– Identifikohuni si qytetar në portal
– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për kartë shëndeti për fëmijën nga kryefamiljari”
– Klikoni butonin “Përdor”
– Plotësoni formën përkatëse që ju shfaqet menjëherë për këtë shërbim.
– Klikoni butonin “Dërgo”
Shërbimi mund të merret menjëherë dhe vlefshmëria e kartës është një vit, ndërkohë që ky shërbim mund të merret pa pagesë.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.