Apple bie në vlerë tregu – Humbet $46 mld në 1 javë prej raportimeve për shitje më të dobëta
Vlera në treg e Apple ra ndjeshëm ditën e Hënë, pas një raportimi se kompania ka urdhëruar ulje të madhe të prodhimit të iPhone 10. E përditshmja Nikkei në Japoni, raportoi se gjiganti i teknologjisë, i ka udhëzuar furnitorët për të reduktuar prodhimin e iPhone 10 në 20 milionë njësi për tremujorin e parë, nga më shumë se 40 milionë që Apple deklaroi në Nëntor.
Sipas Nikkei, kjo vjen prej shitjeve më të ulëta se ç’pritej në përfundimin e sezonit të pushimeve. Apple ra me 2.1% në ditën e parë tregtare në Shtetet e Bashkuara, pas këtij raportimi. Aksionet e kompanisë kanë humbur 5.1% që prej datës 22 Janar, duke fshirë kështu 46.4 miliardë dollarë në vlerë, në vetëm 1 javë.
Raportimi i Nikkei vjen pas disa publikimeve të tjera në Wall Street, që tregonin për kërkesë të dobët për iPhone 10. E përditshmja ekonomike në Tawian raportoi gjithashtu në fund të muajit Dhjetor se Apple ka reduktuar projeksionet për shitjen për iPhone 10.
Për rrjedhojë, analistët në Wall Street po shqetësohen mbi kërkesën e iPhone, gjë që mund të sjellë edhe uljen e notës së gjigantit të teknologjisë këtë muaj. Disa kompani të hulumtimit në tregje (Longbow Reaserch, Atlantic Equities), kanë ulur vlerësimin e aksioneve të Apple në “neutral”, prej projeksioneve për shitje më të dobëta.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.