Apple nuk varet më nga iPhone – Të ardhurat nga iPhone, në 53% të totalit. Rriten shërbimet
IPhone përbën një makinë të printimit të parave për Apple. Në tremujorin e parë 2019, Apple ka shitur iPhone në vlerën e 31 miliardë dollarë. Paralelisht, iPhone po humbet rëndësi ndaj shitjeve totale të Apple, ndërkohë që industria e smartphonave në të gjithë botën ka “ngecur”.
Të ardhurat nga iPhone përbënë 53.5% të totalit të Apple. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, shitjet e iPhone zinin 61.4% të totalit dhe në tremujorin e fundit 2018, përbënin 61.7%.
Përqindja më e ulët e shitjeve të iPhonë ndaj totalit të të ardhurave tregon se Apple po fiton aftësi për të shitur produkte të tjera hardware apo software, ndaj 900 milionë përdoruesve të iPhone.
Rënia e rëndësisë së iPhone në bilancin e Apple vjen pjesërisht prej rënies së shitjeve, pasi të ardhurat nga iPhone ranë me 17.33% me bazë vjetore. Megjithatë, një pjesë tjetër vjen prej rritjes në kategori të tjera.
Kreu ekzekutiv Tim Cook theksoi 2 biznese me rritje të shpejtë gjatë takimit me bordin, që janë: Të ardhurat nga shërbimet, përfshirë nënshkrimet në Apple Music dhe iCloud si dhe të ardhurat nga biznesi i pajisjeve, që përfshin produkte hardware si AirPods dhe Apple Watch. “Ky ka qenë tremujori më i mirë në historik për shërbimet, me të ardhura në 11.5 miliardë dollarë”, tha Cook. Të ardhurat nga shërbimet u rritën me 16% nga viti i kaluar.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.