Apple pranon “fajin” – Ngadalëson me qëllim telefonat e vjetër prej “plakjes” së baterive
Gjiganti i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, Apple, konfirmoi se i ngadalëson me qëllim modelet e vjetra të iPhone, në përpjekje për të parandaluar çështje si maturimi i baterive si dhe për të përmirësuar performancën, pas kritikave që kanë zgjatur prej kohësh.
Kompania bëri të ditur se një software i prezantuar vitin e kaluar i bën telefonat më të ngadaltë, për të limituar problemet me bateritë e litiumit, përfshirë këtu fikjen e papritur të telefonit.
Apple shpjegoi se bateritë në kushte të dobëta mund të mos kenë kapacitet për të ofruar rrymën maksimale, të kërkuar nga funksionimi i plotë i procesorit, gjë që sjell fikjen e papritur të telefonit për të mbrojtur komponentët e brendshëm.
Kompania nxori një karakteristikë të re për iPhone 6, 6S dhe SE, gjatë një përditësimi të software-it, për të zbutur periudhat e mbifunksionimit, në mënyrë që aparati të mos fiket.
Kjo karakteristikë është zgjeruar edhe për modelin iPhone 7, me sistemin e operimit iOS 11.2, dhe planifikohet që të prezantohet edhe për pajisjet e reja në të ardhmen.
Megjithatë, fansat e kësaj kompanie, bënë të ditur në media sociale se më shumë gjasa nuk do të blejnë telefonat e rinj të Apple.
Më herët gjatë vitit, disa përdorues u ankuan se përditësimi i software-it ngadalëson telefonat e vjetër, në mënyrë që këta të blejnë produktet e reja më të kushtueshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.