“Apple” rimbyll disa dyqane në SHBA – Rritja e rasteve me Covid-19, kompania njofton mbylljen e 11 njësive
“Apple” do të mbyllë sërish disa dyqane me pakicë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pasojë e rritjes së rasteve të infeksionit me Covid-19 në zona të ndryshme të vendit. Mbyllja do të prekë 11 dyqane në Florida, Arizona, Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut.
“Si pasojë e situatës me Covid-19 në disa nga komunitete ku ne shërbejmë, do të mbyllim dyqanet tona përkohësish në disa prej tyre”-deklaroi një zëdhënës i kompanisë ditën e Premte në një deklaratë. Ndër të tjera ai shton se ky hap merret si një masë kujdesi paraprake ndërkohë që kompania vijon të monitorojë situatën.
Ditën e enjte, rastet e reja globale me Covid-19 prekën rekordin e 150 mijë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rastet janë rritur ndjeshëm ditët e fundit në disa shtete, duke detyruar autoritetet lokale që të mendojnë vendosjen e masave të reja. “Apple” ndërkohë kishte rihapur pjesën dërrmuese të dyqaneve të saj, të mbyllura pas periudhës së izolimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.