Apple rrit shitjet në Kinë – Me 18% vetëm në Dhjetor, përmbys tendencën e vitit
Shitjet e Apple në Kinë u rritën me më shumë se 18% gjatë muajit Dhjetor, tregojnë të dhënat më të fundit të akademisë kineze të teknologjisë dhe informacionit, të përpunuara nga CNBC.
Kjo e dhënë bëri që aksionet e kompanisë të rriteshin me 2% menjëherë pas publikimit të lajmit, duke prekur nivelin maksimal historik, në 309.63 dollar për aksion në mbyllje të tregjeve.
Përgjatë dhjetorit, Apple ka shitur 3.2 milionë iPhonë në Kinë. Në Dhjetorin e vitit 2018 kjo shifër fiksohej në 2.7 milionë njësi.
Kina është një pikë kyçe për biznesin e Apple, duke pasur parasysh edhe madhësinë e një tregu të tillë. Përgjatë tremujorit të parë të vitit të kaluar, të ardhurat e Apple vetëm nga Kina fiksoheshin në 13.17 miliardë dollarë, në rënie me 5 miliardë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Të dhënat e tremujorit të tretë të vitit duket se e kanë përmbysur tendencën. Të dhëna të tjera tregojnë se Apple zotëron 8% të tregut në Kinë, nga 9% të vitit paraardhës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.