Arabia “eliminon” farmacistët – I zëvendëson me robotë që janë në gjendje të lexojnë recetat
Pacientët tani mund të marrin ilaçet e tyre në farmaci në më pak se dhjetë sekonda falë sistemit të automatizuar për t`i shpërndarë medikamentet klientëve. Kjo është risia më e fundit që vjen nga Arabia Saudite. Kjo risi, paçka se është shumë praktike, rrezikon të nxjerrë jashtë lojë rolin e farmacistit. Tashmë radhët e gjata të pacientëve nëpër farmaci duket se do të jenë të largëta, të paktën në Arabinë Saudite.
Al-Nahdi është kompania mjekësore, që është edhe lider në farmaceutikë në vend, e që ka bërë të mundur robotizimin e farmacive. Robotët janë në gjendje të lexojnë dhe skanojnë recetat e mjekëve si dhe më pas të dorëzojnë ilaçet te klienti. Roboti është në gjendje të kontrollojë edhe datën e skadencës si dhe të menaxhojë stokun. Klientët shprehen mjaft të kënaqur nga ky shërbim i ri.
“Ky shërbim është i mirë për klientët pasi kursen shumë kohë. Që nga momenti që i dhashë robotit recetën e deri sa më dha ilaçin, kaluan nga 6 deri në 10 sekonda”-thotë një prej klientëve. Farmacistët tani e shfrytëzojnë kohën e tyre për të përgatitur ilaçet si dhe për të edukuar pacientët. Teknologjia në fjalë, fillimisht është aplikuar në Dubai pak vite më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.