Arbitrazhet, tendera për studiot ligjore – Qeveria përcakton procedurat konkurruese: Prioritet çmimi, përvoja dhe rastet e suksesit
Këshilli I Ministrave ka përcaktuar kushtet për zhvillimin e tenderëve përmes të cilëve do të përzgjidhen studiot ligjore vendase apo të huaja që do përfaqësojnë Shqipërinë në gjykatat e arbitrazheve ndërkombëtare. Përmes një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Qeveria ngarkon Avokaturën e Shtetit, në kuadër të ofrimit të asistencës juridike institucionet, në ushtrim të kompetencave për mbrojtjen e interesit pasuror të Republikës së Shqipërisë, të vlerësojë, rast pas rasti, nevojën e kontraktimit të zyrave ligjore.
Studiot që do të përfshihen në procedurën e konkurrimit do të vlerësohen sipas një sistemi pikëzimi ku prioritet I jepet çmimit dhe përvojës së tyre. Specifikisht: Oferta ekonomike me çmimin më të ulët merr 25 pikë; Po kaq pikë merr edhe Përvoja profesionale e ofertuesit si dhe eksperiencat e ngjashme. Rastet e suksesit vlerësohen me 20 pikë ndërsa Besueshmëria dhe reputacioni 5 pikë.
Gjithsesi, Qeveria la të hapur edhe mundësinë e kontraktimit të studiove jashtë kësaj procedure konkurrimi në raste të veçanta.
Procedurat e veçanta zbatohen për rastet, si më poshtë: a) Kontraktimi i avokatit/studios së avokatisë vendase ose të huaj në rastet e rishikimit/anulimit të një vendimi arbitrazhi; b) Kontraktimi i avokatit/studios së avokatisë vendase, në rastet e kundërshtimit dhe/ose fillimit të procedurave për njohjen dhe/ose ekzekutimin e një vendimi arbitrazhi në juridiksione të huaja; c) Kontraktimi i ekspertit për nevoja të një procesi arbitrazhi; ç) Kontraktimi në kushtet e emergjencës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.