“Arena Kombëtare” gati në vjeshtën e vitit 2018 – Duka dhe Casamonti inspektojnë punimet: Stadiumi do jetë një vepër e madhe për sportin shqiptar
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka së bashku me arkitektin Marco Casamonti kanë inspektuar punimet në stadiumin e ri “Arena Kombëtare”.
Sipas parashikimeve, “Arena Kombëtare” do të jetë gati për vjeshtën e vitit 2018, diçka që e ka përforcuar sërish presidenti Duka: “Jemi të lumtur si po ecin punimet dhe në fund të vitit 2018 do të jetë gati për të pritur ndeshjet. Nuk e fituam të drejtën e organizimit të Superkupës 2019 për faktin se kishim vetëm një projekt në letër. Stadiumi do të jetë shumë i bukur, një vepër e madhe për sportin shqiptar, më e rëndësishmja në Shqipëri, një pasuri e madhe për futbollin”.
Ndërkaq, për mediat ka folur edhe arkitekti Marco Casamonti: “Jemi të lumtur me ecurinë e punimeve, është një vepër e bukur. Do të jetë një kënaqësi për çdo tifoz të ndjekë ndeshjet në një stadium krejtësisht të mbuluar dhe me mundësinë për të qenë shumë pranë fushës. Do të jetë si një teatër”.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.